Luan Baçi ia prishi sot humorin Mulit. Lelo e njoftoi se Luani ka bërë disa llogari dhe ka nxjerrë që delegatët e Kuvendit kanë mbledhur 44 milionë lekë, kurse anëtarësia 440 milionë lekë për zgjedhjen e Doktorit.
— Si i ka llogaritur? tha Muli.
— Ka marrë numrin e delegatëve dhe e ka shumëzuar me 10 mijë lekë, tha Lelo. Pastaj ka marrë numrin e anëtarësisë që ka votuar Doktorin dhe e ka shumëzuar edhe atë me 10. Në fund i ka mbledhur, i shkon nja gjysmë milioni euro.
— Na hodhi në erë, tha Muli. Se këta delegatët në stadium jo që s’kanë paguar, por i kam paguar me nga 30 mijë lekë të vijnë, se donin lekët e transportit dhe nga 10 mijë lekë për të ngrënë një hamburger.
Sikur t’i thërrasë SPAK disa nga ata e t’u thotë sa lekë keni paguar dhe ata të thonë jo, na kanë paguar, nuk kemi paguar. Atëherë e ha unë.
— Kjo qenka e rrezikshme, tha Lelo. Se të paktën këta që kanë votuar Doktorin nuk janë paguar.
— Ata s’ka ku t’i gjejnë, tha Muli, se ato vota i kam deklaruar vetë, po ata që kanë qenë në stadium mund t’i gjejnë nga videot.
— Atëherë t’i them Luanit ta fshijë postimin, tha Lelo. Të thotë se kishte disa gabime në llogari.
— Nuk e kuptoj pse e ka caktuar 10 mijë lekë, tha Muli. Apo ka pasur hall se ngatërrohej po ta bënte 15?
— Nuk e di, tha Lelo. Se ai e di që shuma ka qenë 1 milion euro. Po t’i kishte shumëzuar me 20 këto llogaritë që ka bërë, dilte fiks. Ndoshta i ngatërrojnë numrat më të mëdhenj se 10.
— Thuaji ta fshijë, tha Muli, dhe të bëjë një sqarim që ishte një gabim në llogaritje. Llogaritë e sakta PD i ka bërë transparente aty ku duhet.
— Dakord, tha Lelo. Po flas me të. Por ai e ka me Gaz Bardhin, nuk e ka me SPAK-un.
— Aq më keq, i tha Muli, se akoma nuk është shqyrtuar padia e Gazit. Dhe ja, na duhet të fillojnë me atë, se ajo i ka shifrat tamam.
Access all TV channels anywhere, anytimeTechno Mag |
Sponsored

