HomeHumor

Muli i impresionuar nga konferenca e Argitës

Muli i impresionuar nga konferenca e Argitës

Dalja e Argitës në konferencë shtypi bashkë me avokatët e Doktorit e bëri Mulin të ndjehej shumë krenar.

-Sa herë del kjo Argita mësoj një gjë të re, i tha Muli, Lelos.

Sot mësova që SPAK ka bërë mashtrim topografik.

Se kisha dëgjuar kurrë më parë këtë.

Ti e di çfarë do të thotë?

-Mashtrim topografik do të thotë kur gënjen për hapësirën e tokës apo vendin ku e ke, tha Lelo.

Me sa duket Argita është duke akuzuar SPAK se Klubi Partizani nuk është në atë vend që thotë SPAK.

-Jo, tha Muli. Mashtrim topografik do të thotë që ti thua Berisha ndryshoi destinacionin e klubit, në fakt e ka ndryshuar Rama. Kështu e tha.

-Ky quhet mashtrim institucional, tha Lelo.

-Argita ngul këmb që është mashtrim topografik, tha Muli, dhe ashtu duhet të jetë.

E ka fjalën që Edi Rama e ka marrë tokën nga tokë për të luajtur futboll, e ka bërë tokë për pallate, u ka ndryshuar gjeografinë tokës.

Këtu duhet të hyjë topografia. Dhe e ka kapur tamam.

Edi Rama ka qenë njeri djallëzor 20 vjet më parë.

Ka punuar me qitje të largët.

Ka ndryshuar destinacionin e tokës, ka joshur burrin e Argitës të kërkojë pronën, ka nxitur Doktorin t’ia japë, pastaj i ka dhënë leje, që ta bëjë fakt të kryer dhe pastaj ta akuzojë.

E gjitha është një plan i nisur nga vitit 2006, nga Edi Rama, me qitje të largët.

-Kjo qenka serioze, tha Lelo.

Se shoku Enver ka pas plane pesëvjeçare, po ky i paska 25 vjeçare.

Ishallah s’ka ndonjë plan tjetër dhe pas 50 vjetësh del.