HomeHumor

Muli ka zbuluar faturën e Salianjit te spitali privat

Muli ka zbuluar faturën e Salianjit te spitali privat

Pas shumë kërkimesh, Mulit i ra më në fund në dorë fatura e spitalit privat për mbjelljen e flokëve të Salianjit. Fatura ishte e majme, por akoma më shumë kishte kushtuar qëndrimi në spital.

— Si ka mundësi, — i tha Lelos, — ne e paskemi ditur në burg në Fier, ky paska qëndruar në spital me 5 yje në Tiranë. Dhe unë thosha pse është kaq i informuar ky. Madje dhe spitalin e ka gjetur afër TP Channel-it, që ta kishte afër gruaja.

— Këtë s’e kam ditur, — tha Lelo, — të betohem. Po ta dija, mund t’i shkoja edhe për vizitë. Nuk di si është rregulli, a ka paguar dhe për policët që rrinin aty?

— Ka shumë mundësi që e ka mbyllur Ulsiu, — tha Muli, — me klering. U ka thënë: “Më mbillni dhe mua pak flokë dhe ndonjë ndërhyrje se do jem prapë ministër.”

— Ka shumë mundësi, — tha Lelo. — Se e ka mbajtur sekret dhe nga PD-ja dhe nga PS-ja.

— Tani si t’u themi demokratëve ne për këtë? — tha Muli. — A ka qenë në burg apo në klinikë private për të mbjellë flokët?

— Nuk di ç’të them, — tha Lelo. — Po hundën më duket sikur nuk e ka bërë, por ngaqë ngjan simpatik me mustaqe dhe flokë, duket sikur ka bërë edhe hundën.

— Tani ne nuk do t’i vëmë vizoren si e ka pasur hundën e si e ka, — tha Muli. Ai mund të ketë ndrequr dhe organet gjenitale poshtë e nuk e shikojmë. — Ai gjestin e ka bërë. Ka ndenjur në spital, jo në burg. Këtu të tjerët nuk i çojnë në spital të burgut kur kanë dhimbje të vërteta, këtë e çojnë në spital privat për të mbjellë flokët. Me siguri e kanë bërë për të na diskredituar ne, — tha Muli. — Për ta çuar dëm “burgun” e tij.

— Mos e thuaj këtë, — tha Lelo, — se i rriten pikët Ulsiut pastaj. Më mirë të pranojmë që ishte gabim dhe u nxitua. Madje, në shenjë dënimi, t’i shkulim ca qime flokësh në mbledhjen e parë të kryesisë, si ndëshkim simbolik.

— Dakord jam, — tha Muli. — Do t’ia shkul vetë i pari.