Brenda PD ka shpërthyer një konspiracion i madh kundër Mulit. Nga një anë Çim Peka e akuzon që nuk është intelektual, nga ana tjetër avokati i Doktorit e akuzon se ka sabotuar zonjën Kalaja duke dhënë leje të firmosin për Shabanin.
I shqetësuar, Muli po diskutonte me Lelon se si mund të dalë nga kjo situatë.
– Betejën e parë e ke të vështirë – i tha Lelo – pasi Çimi të ka akuzuar që nuk je intelektual i vërtetë. Dhe këtë e ke të vështirë ta provosh në këto kushte. E vetmja rrugë është të thuash që unë jam aq intelektual sa Çimi dhe të kërkosh debat me të.
– Si mund ta bëj këtë – tha Muli. – Unë mund të mos jem më i miri i Tiranës, po më i miri i Kukësit jam. Kurse Çimi le të konkurrojë me ata të Hasit.
– Atëherë na ngelet pika 2 – i tha Lelo. – Ti duhet t’u mbushësh mendjen demokratëve që nuk ia ke pasur me hile zonjës Kalaja. Për këtë duhet një strategji më e hollë.
– Po si ta bëjmë – tha Muli.
– Do thuash që unë kam ndjekur parimin që kush mbledh firma digjet gjithnjë. Në këtë kuadër, që të mos kuptohej që ne do votonim zonjën Kalaja, ua dhamë firmat edhe të tjerëve, me qëllim që ta vinim në gjumë Ramën dhe të tërhiqeshim në fund. Në fund ai nuk na la të tërhiqeshim. Kështu që ka vetëm një provë: të gjithë ata që të akuzojnë ty, të shkojnë në seancë dhe të votojnë zonjën Kalaja. Aty kuptohet kush ka tradhtuar, ti apo ata.
– Po nëse ajo humbet?
– Po normal do humbasë, se ajo është demokrate e vërtetë, nuk mund të marrë votat e Ramës. Ajo është e mërzitur që s’ka votat e PD-së, se të Ramës nuk i do. Kështu edhe Shabani bëhet kryetar dhe i merr votat e PD-së dhe kënaqet.
– S’e ke keq – tha Muli. – Ishalla pranon, se këtu do dalin tradhtarët e vërtetë.

