HomeHumor

Muli shpall fitoren më të thellë të opozitës në histori

Muli shpall fitoren më të thellë të opozitës në histori

Pas përfundimit të zgjedhjeve të sotme, Muli thirri me urgjencë Lelon për të vendosur qëndrimin që do të mbajnë.

– Si duhet ta interpretojmë këtë bojkot? – i tha Muli.

– Po mirë është të themi që populli është i zhgënjyer nga qeveria, – tha Lelo, – ndaj nuk del të votojë. Se dihet që këta janë mësuar të votojnë për qeverinë.

– Unë them të tregohemi më të guximshëm, – tha Muli. – Ta shpallim që gjithë ata që qëndruan në shtëpi janë me opozitën.

– Po ne kemi kandidatët e pavarur që kemi mbështetur, – tha Lelo.

– Jo, s’kemi punë me ata. Ne jemi me ata që s’kanë votuar. Pikë.

– Dakord atëherë, – tha Lelo. – I bie që kemi fituar afërsisht 75 për qind të votave, pra me dy të tretat.

– Atëherë këtë fitore ta shpallim, – tha Muli. – Ka fituar opsioni i bojkotit që zgjodhi PD.

– Po do na thotë ndonjë që këta shqiptarët që kanë vepruar si ju, pse nuk e kanë më të lehtë të votojnë për ju?

– E ke gabim, – i tha Muli. – Ky është test. Ne deshëm të dimë si mendojnë shqiptarët. Tani e dimë ne çfarë bëjmë herën tjetër. Kjo na duhej ne. Tani ne jemi me 75 përqindëshin, Edi Rama dhe të pavarurit me 25 përqindëshin. Kjo është fitorja më e thellë në histori që kemi arritur pas 22 marsit 1992.

– Dhe e kemi arritur duke ndenjur në shtëpi. Merre me mend të dilnim nga shtëpia!/Antena/ Tema