Muli sot ishte shumë i mërzitur me postimet nga Uashingtoni. Grupi që ka marrë Fatmir Mediu me vete këtë vit ishte rritur shumë, deri në tetë veta. Domethënë, gjithë këta të rikthyerit në PD plus Klevisi kishin postuar foto nga SHBA.
— Kjo nuk është serioze, — i tha Lelos. — Kujt i bëjnë karshillëk këta, mua dhe Doktorit që nuk shkojmë dot në SHBA? Po ne kemi sakrifikuar që kjo PD të jetë kjo që është sot dhe ata të shetisin në SHBA. Ne kemi sakrifikuar nga jeta jonë për këtë, por nuk e kemi bërë që të mburret Gazi, Albana, Klevisi e Ivi nga SHBA. Ky është karshillëk ndaj Doktorit, se unë për vete nuk çaj kokë.
— E vërtetë, — tha Lelo. — Dhe mua nuk më pëlqeu.
— Si mund të postojë Mediu foto me kongresmenë me titull “luftë deri në fund krimit e korrupsionit”? Ai është në gjyq për krim dhe korrupsion. Çfarë do të thotë kjo, që ai e ka rregulluar me SPAK-un e Doktori jo?
— Kështu siç e thua ti është e rëndë, — i tha Lelo. — Por puna është që kongresmeni nuk e di as kush është Mediu, as kush janë këta të tjerët dhe thotë se e ka parrullë.
— Aq më keq, — tha Muli. — Për një foto dërgojnë mesazhe të gabuara te demokratët. Demokratët presin që SHBA ta shpëtojë Doktorin nga akuzat për korrupsion dhe krim, ata postojnë foto me direktivën “të shkojmë deri në fund betejës kundër krimit e korrupsionit”.
— Po ti e di, — tha Lelo, — që këto janë seminare të Fatmirit, nuk ka lidhje SHBA me këto.
— E di, — tha Muli, — por ata shfrytëzojnë faktin që unë dhe Doktori nuk shkojmë dot dhe na bëjnë karshillëk me foto kot dhe mesazhe të gabuara.
— Do t’u bëj vërejtje, — tha Lelo. — Do t’u them: nuk duam më foto dhe postime me mesazhe nga SHBA, se ata mund t’ju shohin në pushtet dhe t’i marrin si mesazhe kundër Edi Ramës. Ose tregojuni që jeni në opozitë, ose më mirë të postojë Albana ndonjë foto duke bërë shopping, ku të tregojë se çmimet në SHBA janë më të lira se në Tiranë. Të paktën të ketë një mesazh kundër qeverisë, se kështu si po ndodh, këta postojnë foto, pastaj futen në një mbledhje ku dëgjojnë Nikon dhe rrinë urtë.

