Sot Muli vendosi të përdorë armën e tij të fundit për të mundur kundërshtarët e tij brenda PD që kërkojnë dorëheqjen. Ai u tregoi atyre se vjen nga malet e Kukësit. Dhe me këtë duhet të mbyllet çdo dyshim që ai nuk e meriton të jetë në krye të PD-së.
– Kjo do na hapë telashe më shumë me Çim Pekën – i tha Lelo, – se dhe ai nga malet e Kukësit vjen.
– E ke gabim – i tha Muli. – Si vjen nga malet e Hasit, nuk është njësoj burrnia në Novosejë dhe në Has.
– Ndoshta – i tha Lelo, – por këto nuk i dinë mirë njerëzit në Tiranë.
– Po pse është injorant populli në Tiranë nuk është problemi im – tha Muli. – Po të ishin më të zgjuar njerëzit në Tiranë, nuk vija unë nga Novoseja në krye të tyre. E kam një meritë më shumë se ata, ndaj jam ky që jam.
– Po është mirë mos ta përgjithësojmë – tha Lelo, – se hapen debate pa bukë. Është mirë të themi që nga malet e Kukësit njerëzit njihen për burrni. Dhe burrnia në këtë rast ka të bëjë me faktin që ti nuk tradhton Doktorin.
– Jo, e ke gabim – i tha Muli. – Jo vetëm që nuk e tradhtoj, por edhe e ruaj nga tradhtarët. Vij nga një zonë që ka qentë më besnikë në Ballkan, qentë e Sharrit. Aty e kanë origjinën.
– Dakord edhe kjo – i tha Lelo, – por po flasim për njerëzit, se besnikët e Doktorit pastaj nuk mund t’i krahasojmë me qentë besnikë.
– Me qentë besnikë jo, zotëri, por me besnikërinë e qenit po.
– Atëherë të biem dakord të themi që Muli vjen nga një zonë besnike dhe burrnore, ku si njerëzit, ashtu edhe kafshët janë besnike.
– Dakord jam – tha Muli.
– Kështu je brenda, se edhe po të thonë kafshë, prapë mbetesh besnik – tha Lelo.

