Banka e Shqipërisë ka vendosur t’i shfuqizojë licencën institucionit financiar të parasë elektronike, Soft & Solution në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për AKSHI-n.
Kjo kompani është licencuar nga Banka Qendrore 5 vjet më parë, por aktiviteti i parë i tij ishte vitin e kaluar kur nisi ofrimin e shërbimeve të pagesave, nën markën tregtare ALPay, e lidhur me platformën e-Albania, për kryerjen e pagesave për disa shërbime të institucioneve publike.
Pas nisjes së hetimeve nga SPAK, e njëjta bankë ka vendosur t’ia shfuqizojë licencën institucionit financiar Soft & Solution. Ky vendim vjen mbështetur në rregulloren e BSH-së, sipas së cilës licenca refuzohet kur vërtetohet se të paktën njëri nga themeluesit e shoqërisë është në ndjekje penale ose është dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Vendimi erdhi pasi Prokuroria e Posaçme lëshoi një urdhër arresti ndaj Ermal Beqirajt, aksioner të shoqërisë në fjalë, në dhjetor 2025 për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Bashkë me Ergys Agasin, Beqiraj i cili ndodhet në arrati, akuzohet nga SPAK për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tenderë, pastrim parash e grup i strukturuar kriminal. Ata dyshohet se kanë marrë peng biznesmenin Gerond Meçe, derisa pranoi të tërhiqej nga ankimimet që kishte bërë për disa tenderë shtetërorë.
Shfuqizimi i licencës së Soft & Solution e ka ulur numrin e institucioneve të licencuara të parasë elektronike nga 11 në 10.
Hera e fundit që Banka e Shqipërisë i ka hequr licencën institucioneve financiare është ajo e vititi 2024, kur iu hoq licenca “Micro Credit Albania” dhe “Final”, pasi ndaj aksionerëve të tyre, gjykata pati vendosur masën “arrest në shtëpi”.

