Nga Skënder Minxhozi
Këtë premtim i bëjnë njëri-tjetrit personazhi i famshëm Shvejk dhe miku i tij Vodiçka në romanin e jashtëzakonshëm të Jarosllav Hashek “Ushtari i mirë Shvejk”. Askush nuk di t’i parashikojë fatet njerëzore në rrokopujën e Luftës së Parë Botërore, por Shvejku është i sigurt se do ta takojë mikun e tij “në ora 6 pas lufte”. Madje di dhe vendin ku do të ulen të pijnë, megjithëse “harrojnë” një detaj të vogël: datën e takimit!
Ky është vetëm njëri ndër paradokset artistike të këtij romani tashmë klasik në letërsinë botërore. Dhe duket si i prerë për të gjitha ato situata në të cilat vetësiguria njerëzore e pabazuar në logjikë tingëllon joreale dhe qesharake. Shikoni fjala vjen se me çfarë lehtësie partitë e opozitës në Shqipëri caktojnë fillimin dhe fundin e qeverisë, sesi betohen se “këtë radhë s’ke nga ikën”, sesa i ngrenë pritshmëritë e përkrahësve të tyre, për t’i ftuar më pas të kthehen në shtëpi pasi kanë gjuajtur me gurë e molotovë godinën e qeverisë. Ashtu si Shvejku dhe Vodiçka, opozita shqiptare cakton vendin dhe orën e përmbysjes së Edi Ramës, duke mos ditur datën dhe momentin egzakt të revolucionit që do marrë me vete narkoqeverinë.
Ka shumë prej autoironisë së Shvejkut në gjendjen e pezullisë 13 vjeçare që përjeton opozita në Shqipëri. Ashtu si personazhi i Hashekut, PD, PL dhe partitë e reja opozitare pas tyre, vijnë që të gjitha rrotull në hapësirën klaustrofobike të humbjeve të njëpasnjëshme. Pa ja arritur të gjejnë shtegun e daljes nga një kalvar i vërtetë që ka mpakur votuesit, ka humbur besimin tek politika dhe i ka dhënë kundërshtarit luksin që të shijë në lëmë sipas qejfit dhe dëshirës pa i hyrë gjemb në këmbë. Madje as kur lista e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion zgjatet e zgjatet.
Nuk ka një situatë më absurde dhe shvejkiane se kjo e sotmja, kur dy parti parakalojnë çdo javë para zyrës së Ramës, kërcënojnë dhe tundin grushtin ndaj zyrave bosh dhe që të dyja bashkë nuk i bëjnë dyqind veta bashkë. Njëra prej tyre, ajo më e reja që duhet të ngjallte shpresë dhe besim, dergjet në bulevard prej javësh me një gjysëm dyzine njerëz. Kjo nuk është as ironi dhe as cinizëm, është thjesht konstatimi dëshpërues i pafuqisë që rrezaton sot nebuloza e opozitarëve që kërcënojnë me rrëzim PS dhe Ramën prej 13 vjetësh. Të cilët ashtu si personazhi babaxhan i Hashekut dhe miqtë e tij në një kohë çmendurie globale njëqind e ca vjet më parë, linin takim në ora gjashtë pas lufte te pijetorja e preferuar, pa ditur se kur do të mbaronte lufta.
Sali Berisha njoftoi protestën e radhës dhe bëri kërcënimet e radhës. “Do ia bëjmë ferr Tiranën” tha Doktori duke ju referuar kryeministrit Rama. Të gjithë e dinë që ai po lexon një partiturë të vjetër. Edhe ata më besnikët e dinë se në 10 shkurt nuk do të ndodhë asgjë. Do të jetë një parakalim steril para Kryeministrisë si shumë parakalime të tjera në dekadën e fundit. Në anën tjetër, partia e re e Lapajt mbajti edhe ajo protestën e saj me pak qindra entuziastë. Mund të jenë të kënaqur sepse nuk ishin dhjetra siç ndodh përditë qëkurse ka nisur fushimi në bulevard, por qindra. Sërish shumë pak për të lëvizur nga vendi Edi Ramën.
Opozitës i duhet një projekt, i duhen ide dhe mbi të gjitha i duhen njerëz që t’i prodhojnë të dyja këto. Deri atëhere do të duhet të kënaqen me formulime satirike si ky i Jarosllav Hashekut me antiheronjtë e tij të mrekullueshëm që na mësojnë prej një shekulli se në histori mund të hysh edhe duke ja futur kot. Por opozitës tonë nuk i vlen kjo gjë. I duhet diçka krejt tjetër.

