HomeAktualitetDebat

Nëse do të zbatohej më herët praktika e re e Gjykatës së Lartë, Veliaj dhe Meta nuk do të qëndronin kaq gjatë në paraburgim

Nëse do të zbatohej më herët praktika e re e Gjykatës së Lartë, Veliaj dhe Meta nuk do të qëndronin kaq gjatë në paraburgim

Nëse do të zbatohej më herët praktika e re e Gjykatës së Lartë, Veliaj dhe Meta nuk do të qëndronin kaq gjatë në paraburgim

Me një vendim të kryetarit Sokol Sadushi, Gjykata e Lartë ka nisur procedurën për ndryshimin e praktikës së njësuar të deritanishme për masat e sigurisë, i zbatuar që prej një dekade e gjysmë në Shqipëri, që prej vendimit unifikues nr. 7 të datës 14 tetor 2011. Pikërisht rregullat procedurale të vendosura në këtë vendim synohet të ndryshohen pas kësaj nisme, e cila ka si qëllim kufizimin e dhënies pa kriter të masës së sigurisë ‘arrest me burg’.

Ish-deputeti i PS, Plarent Ndreca, teksa përshëndeti këtë nismë në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, tha se Shqipëria ka marrë kritika të forta në BE për numrin e lartë të të paraburgosurve.

“Nga çdo drejtim i mundshëm vijnë kritika për çështjen e masave të sigurimit, respektimin e kritereve dhe kushteve për vendosjen e një mase sigurimi. Kanë ardhur kritika të forta edhe nga BE. Ju e dini që para disa javëve ishte edhe drejtori për të drejtat e njeriut në BE, që hodhi kritika të forta për paraburgimet në Shqipëri, ashtu siç hodhi kritika edhe për mënyrën sesi gjykatat vendosin mbi përcaktimin e kritereve apo afateve për të qëndruar në paraburgim, i cili nuk vlerësohet në mënyrë dinamike ashtu siç Gjykata e Strasburgut e ka vendosur”, tha Ndreca.

Ai vijoi më tej duke thënë se vendimi i Gjykatës së Lartë për ndryshim të praktikës për dhënien e masës ‘arrest me burg’ është i drejtë, por i vonuar. Kjo pasi sipas Ndrecës, Gjykata e Lartë nuk duhet të lejonte që disa çështje të shkonin në Strasburg dhe të dënohej Shqipëria.

“Gjykata e Lartë është e vonuar. Kjo iniciativë e kryetarit të Gjykatës së Lartë është për t’u përshëndetur, por është e vonuar. Sepse Gjykata e Lartë është ajo që në fakt duhet të bllokonte rastet që janë bërë shkak për të ndryshuar praktikën, si rasti Hysaj apo Gëllçi. Gjykata e Lartë nuk duhet të lejonte që këto çështje të shkonin në Strasburg dhe të dënohej Shqipëria”, vijoi më tej Ndreca.

Ndreca shtoi se nëse kjo praktikë për të cilën Gjykata e Lartë ka nisur procedurat do të aplikohej edhe më parë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, sipas tij nuk do të ishte në paraburgim.

Ai shtoi se edhe Ilir Meta nuk do të qëndronte kaq gjatë në paraburgim, nëse kjo praktikë që pritet të aplikohet nga Gjykata e Lartë do të ishte aplikuar që më herët.

“Referuar praktikave të Strasburgut, në dy raste që të paktën i njoh, nuk do kishin shkuar në këto masa ekstreme. Erion Veliaj nuk do kishte shkuar në ‘arrest me burg’ nëse do të ishte kjo praktikë. Sepse Veliaj ka edhe një mandat të dhënë nga qytetarët, është në detyrë dhe ka një mandat të rikonfirmuar nga Kushtetuesja. Edhe për Ilir Metën, ndoshta mund të ishte bërë, por jo që masa të zgjatej kaq gjatë. Fakti që është në burg kryetari i shtetit tonë, nuk është diçka që nuk duhet konsideruar. Veliaj dhe Meta janë në Kushtetuese. Vetëm nëse Kushtetuesja mban të njëjtat masa, një kërkesë e re për ndryshim mase mund t’i shërbejë vendimi i Gjykatës së Lartë kërkesave të reja për zëvendësim mase”, përfundoi Ndreca.