Kryeministri Edi Rama ka rikujtuar që ditën e nesërme, në 13 prill, do të zhvillohet në Tiranë Samiti i Diasporës.
Gjatë fjalës në podcastin e tij ‘Flasim’, Rama tha se shqiptarë nga e gjithë bota do të jenë në Tiranë, ku sipas kryeministrit, vëmendja gjatë këtyre ditëve do të jetë te historitë e tyre të punës, përkushtimit dhe suksesit.
Sipas kryeministrit, sot Diaspora është një forcë konkrete zhvillimi dhe një histori krenarie për mbarë Kombin shqiptar. Rama shtoi se ky Samit vjen për herë të parë pas përfshirjes sipas tij historike të Diasporës në zgjedhjet e 11 majit.
“Në javën që nis nesër, mirëpresim në Tiranë Samitin e Diasporës. Edicioni i katërt që mbledh edhe njëherë shqiptarët nga të gjitha anët e botës. Ata që jetojnë e punojnë jashtë vendit, por sytë i kanë në Shqipëri. E nisim në 13 prill me ceremoninë e mirëseardhjes, ku vëmendja do të jetë te njerëzit dhe te historitë e tyre të punës, të suksesit dhe përkushtimit, që janë edhe histori krenarie shqiptare anembanë.
Por njëkohësisht edhe një hapje për vlerësim. Vlerësim jo vetëm për shqiptarët, por edhe për miq të tyre, miq të huaj, që kanë zgjedhur të jenë pjesë e rrugës së shqiptarëve. Sot diaspora është një forcë konkrete zhvillimi dhe vjen në këtë samit për herë të parë pas një përfshirjeje historike në zgjedhjet politike të vendit.
Ajo vjen si një hapësirë e zgjeruar e Shqipërisë përtej kufijve të saj dhe kthehet në një realitet shqiptar në transformim të vazhdueshëm, gjithmonë e më tepër si një partner. Sfida jonë nuk është vetëm të mbajmë këtë lidhje në një nivel simbolik, por të strukturojmë një rrjet të tërë zemrash që rrahin për Shqipërinë anembanë”, tha mes të tjerash Rama.
Kryeministri Rama u ndal edhe te procesi i integrimit në BE, teksa njoftoi se Shqipëria do të marrë një raport për prokurimet publike, të realizuar nga instrumenta profesioniste të BE-së.
Rama tha se raporti në fjalë analizon panoramën e përgjithshme të prokurimeve publike në rajonin tonë, ku sipas tij, Shqipëria renditet e para, përsa i përket përmirësimeve të bëra gjatë kësaj kohe.
“Dua të ndaj me ju kënaqësinë e marrjes këto ditë të një raporti shumë domethënës të BE-së, përmes instrumentit përkatës të SIGMA dhe OECD, që kanë analizuar edhe panoramën e përgjithshme të prokurimeve publike në rajonin tonë, ku Shqipëria spikat me përmirësimet e saj dhe përmes shifrave e fakteve do i tregojmë edhe publikut sesa larg janë ato që thuhen e stërthuhen duke ushqyer një perceptim negativ lidhur me raportin e Shqipërisë me korrupsionin dhe me pozicionin e kësaj shumice ndaj korrupsionit, në raport me realitetin e fakteve dhe shifrave konkrete”, vijoi më tej kryeministri Rama.
Më tej Rama foli edhe për investimet e huaja në Shqipëri, të cilat sipas tij gjatë 5 viteve të fundit kanë pësuar një rritje të ndjeshme, duke e renditur vendin tonë mbi mesataren e rajonit, në raport me ekonominë.

