HomeBlog

Nga kafazi i gjyqit te standardet e drejtësisë

Nga kafazi i gjyqit te standardet e drejtësisë

Nga Thoma Gëllçi

Shikojeni me kujdes këtë foto. Ajo paraqet një moment nga një sallë gjyqi në Norvegji, gjatë një procesi penal që lidhet me një nga aktet më të rënda të dhunës në Evropën moderne. Në qendër të imazhit shihet i pandehuri, i ulur në tavolinën e mbrojtjes, i veshur formalisht, duke pirë ujë, i rrethuar nga avokatët e tij dhe nën vëzhgimin e forcave të sigurisë.

Ngjarja lidhet me sulmet terroriste të 22 korrikut 2011 në Norvegji, ku fillimisht shpërtheu një bombë në Oslo dhe më pas u krye masakra në ishullin Utøya, ku u vranë 68 të rinj pjesëmarrës në një kamp veror politik.

Kjo foto më solli ndërmend përvojën time kur ndodhesha i paraburgosur në burgun 313 të Tiranës.

Ishte herët në mëngjes kur polici i rojes thirri emrin tim: “Thoma Gëllçi të bëhet gati, ka gjyq.” Pas pak, policët e shoqërimit erdhën dhe më vunë prangat, të lidhura pas shpine. U vendosa mes dy policëve dhe, pas kontrolleve fizike trupore, kaluam nëpërmjet një tuneli betoni që lidhte ambientet e paraburgimit me sallat ku zhvilloheshin gjyqet e Gjykatës së Posaçme. Kaluam disa dyer të hekurta që ndanin segmente të ndryshme të tunelit. Në nivelin e tunelit ndodhen qelitë e betonit, të pista, ku i paraburgosuri priste derisa të vinte ora e gjyqit. Aty, pas një kontrolli tjetër fizik, më hoqën prangat dhe më futën në një qeli bosh, pa asnjë karrige. Vetëm një hapësirë e ngushtë, e pistë, dhe unë në mes duke bërë ec e jakë lart e poshtë, duke pritur të më merrnin për gjyq. Qelia ishte e ngushtë, pa dritare, me një derë të rëndë hekuri pa frengji, e pistë, e mbushur me bishta cigaresh dhe me një banjë që rridhte ujë, edhe ajo e ndotur.

Sa prita aty? Nuk e di. Kishte raste “me fat” që kam pritur tre orë, por kishte edhe raste kur kam pritur tetë orë, për t’u kthyer sërish në ambientet e paraburgimit pa u zhvilluar gjyqi, sepse gjyqtari apo gjyqtarja kishin gjyqe të tjera që zgjateshin më shumë se planifikimi. Në rastet fatlume, dera hapej dhe policët shoqërues, zakonisht dy, më merrnin mes tyre dhe ngjisnim shkallët për të shkuar në katet e sipërme ku ishin sallat e gjyqit.

Futeshim në sallë? Jo. Pas një dere hyja në një dhomë të vogël që kishte një dritare prej xhami ose hekura, të ngjashme me kafazet e kafshëve të egra në cirk, të cilat edhe aty i quanin “kafaz”. U ula mes dy policëve dhe përshëndeta me dorë dy avokatët e mi, të ulur në vendin e tyre, përballë gjykatësit, rreth katër a pesë metra larg meje. Pak më tej, po përballë meje, ishte ulur prokurorja që shikonte vazhdimisht telefonin dhe dukej sikur nuk e kishte mendjen në sallë.

Mundoja të komunikoja me avokatin, të paktën për të kuptuar çfarë do të bëhej atë ditë, por ishte e pamundur. Fillonte gjyqi dhe avokati paraqiste ato që kishte përgatitur për debatin me prokuroren dhe, ndonjëherë, edhe me gjykatën. Gjithmonë kishte dy kërkesa: i mbrojturi prej tij, dmth unë, të ulej në sallë pranë avokatëve të tij, dhe së dyti, të mbrojturit prej tij t’i viheshin në dispozicion të gjitha aktet e gjyqit, sipas ligjit, sepse unë isha i burgosur, nuk qëndroja aty me dëshirën time, dhe kisha të drejtë të njihesha me dosjen. Nuk mjaftonte që të njiheshin vetëm avokatët etj.

Gjykata i hidhte poshtë këto kërkesa. Dhe unë pyesja veten: pse në kafaz? Isha aty pa ndonjë akuzë konkrete, por i dyshuar për një shtesë kontrate dyjavore. E ligjshme apo e paligjshme, këtë ta vendoste gjykata, sepse kjo lidhej me fajësinë apo pafajësinë time. Por pse në kafaz? A kishin frikë se mos kafshoja Dorianin? Apo Maksin? Apo prokuroren? Kisha dy policë në krahët e mi që nuk më lejonin të bëja asgjë. Nëse nuk mjaftonim dy për të më mbajtur, le të më vendosnin katër policë rreth e rrotull.

Kisha parë shumë filma me gjyqe në SHBA ku i akuzuari për vrasje rrinte ulur bashkë me avokatët e tij. Por kisha parë edhe fotografi nga gjyqet speciale në kohën e komunizmit, kur të ashtuquajturit “armiq të popullit” dërgoheshin në litar. Edhe ata ishin në sallë, jo në kafaz.

Si mund të komunikonja unë me avokatët në këtë rast? Ata flisnin për diçka me të cilën nuk isha dakord. Si t’ia thosha? Apo harronin diçka që mua më dukej e rëndësishme. Si t’ia thosha? Kaq i rrezikshëm isha unë për Republikën e Shqipërisë? Unë ndodhesha i paraburgosur thjesht për firmosjen e një shtese kontrate.

Ai inxhinieri i ri, Juliani, përgjegjës transmetimi në RTSH që sapo ishte bërë baba, ishte aty sepse një certifikatë ISO e përkthyer në shqip nuk kishte vulën e noterit. Për të njëjtën certifikatë ishte pas hekurave edhe Ervini, një tjetër inxhinier dhe përgjegjës transmetimi në RTSH. Të dy i njoha aty në burg sepse nuk i kisha parë asnjëherë gjatë pesë viteve si drejtor në RTSH. Nuk më lidhte puna me ta. Dhe këta i mbanin të mbyllur në kafaz njëlloj si mua? Kaq të rrezikshëm i dukeshin këta qytetarë model Republikës sonë të dashur?

Shpesh më shkonte mendja, me humor, t’u thosha Dorian Matlisë apo Maks Haxhisë të futeshin me mua në kafaz, të shikonim si do reagonte gjykata. Por nuk e bëra.

Kjo ndodhte sa herë kishte gjyq. Zakonisht dy herë në dy muaj, kur diskutohej masa e arrestit: një herë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe një herë në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Duke llogaritur kohën që kam qenë në burg, duhet të kem shkuar rreth njëzet herë në sallën e gjyqit me të njëjtin ritual. Nuk mungova kurrë, edhe pse e dija që rezultati ishte i paracaktuar jashtë atyre ambienteve. Por, ditët e gjyqeve, vishesha mirë, për respekt të ligjit dhe të gjykatës. Sepse kështu kisha qenë gjithë jetën time 60-vjeçare deri atë ditë: një qytetar që nuk shkelte as rregullat e qarkullimit rrugor, dhe megjithëse kisha tridhjetë vite që ngisja makinën në SHBA, nuk kisha marrë asnjë gjobë.

Kështu po rri dhe shikoj këtë fotografi të Norvegjisë, një vend europian në të cilin synojmë të anëtarësohemi deri në vitin 2030. Fakti që e nxora këtë fotografi nga interneti ishte rasti i dy kërkesave të Erion Veliajt, të njëjta me dy kërkesat e mia, që nuk u morën kurrë parasysh.

Edhe Erion Veliaj, i paraburgosur, ka paraqitur dy kërkesa aq elementare sa në një sistem normal drejtësie do të ishin rutinë: të mos mbahet në kafaz gjatë gjykimit dhe t’i jepet dosja për ta lexuar vetë. Thënë ndryshe, ai kërkon të mos trajtohet si një kafshë cirku dhe të ketë të drejtën minimale që çdo njeri ka para se të gjykohet: të dijë pse akuzohet dhe çfarë provash ka kundër tij. Është gjykata që do të vendosë pastaj për fajësinë apo jo.

Kërkesa për të mos qëndruar në kafaz nuk është kapriço. Kjo praktikë krijon paragjykim vizual dhe e bën të pandehurin të duket fajtor që në derë të sallës së gjyqit. Në Shqipëri, si duket, ekziston ideja se hekuri i kafazit i jep procedurës një “solemnitet”, sikur të jetë prova e parë materiale e fajësisë. Por Veliaj nuk kërkon dekor; kërkon thjesht të ulet pranë avokatit, si çdo i pandehur që pret të mbrohet. Dhe e vërteta është se prania në kafaz e dëmton realisht mbrojtjen, sepse krijon distancë fizike, psikologjike dhe profesionale mes tij dhe avokatit. Nëse drejtësia duhet të jetë e paanshme, duhej të filloje duke e ulur njeriun në një karrige, bashkë me avokatët e tij, jo pas shufrave të hekurta apo xhamave anti-plumb.

Edhe kërkesa e dytë, njohja vetë me dosjen, është po aq e arsyeshme. Kodi i Procedurës Penale është i qartë: i pandehuri duhet të njoftohet personalisht për përfundimin e hetimeve dhe ka të drejtë të njihet vetë me aktet dhe të marrë kopje të tyre. Ligji nuk thotë “mjafton ta dijë avokati”, as nuk e trajton të pandehurin si spektator të procesit të tij. Sepse, në fund të fundit, i pandehuri është ai që gjykohet, ai që mban përgjegjësinë dhe ai që duhet të kuptojë thelbin e akuzës. Në rastin e Veliajt, dosja paska rreth 60 mijë faqe – një mal dokumentesh. Të pretendosh se avokati mund t’i përmbledhë të gjitha në dy fjalë dhe kështu mbyllet çështja, është aq absurde sa të kërkosh të lexosh “Luftën dhe Paqen” në tre rreshta.

Arsyetimi i gjykatës se “është njohur avokati, pra mjafton” ul rëndësinë e të drejtave procedurale të të pandehurit. Avokati mund të mbrojë, por nuk mund të mendojë në vend të klientit. Ligji nuk e trajton të pandehurin si dekor në sallë.

Prandaj kërkesat e Veliajt, të ulet në karrige dhe të lexojë dosjen, janë minimumi që çdo proces i drejtë duhet të garantojë. Nuk kanë të bëjnë me privilegje, as me status politik. Nuk kanë të bëjnë as me fajësinë apo pafajësinë. Kanë të bëjnë me atë që në çdo vend normal quhet procedurë penale e rregullt.

Nëse drejtësia shqiptare kërkon besim, duhet të respektojë ligjin e shkruar, jo humorin e ditës. Sepse sot është Erion Veliaj në kafaz; nesër mund të jetë dikush tjetër. Mund të jetë secili prej jush apo të afërmit tuaj. Dhe në atë sallë ku çdo njeri hyn i pafajshëm derisa të provohet e kundërta, trajtimi dinjitoz dhe e drejta për t’u njohur me dosjen nuk janë vogëlsira. Janë themele.