HomeBlogSport

Nga piceria familjes Dajko në Athinë te simboli i AEK: rrugëtimi i heshtur i Thomas Strakoshës

Nga piceria familjes Dajko në Athinë te simboli i AEK: rrugëtimi i heshtur i Thomas Strakoshës

Nga Nju Jorku, Marko Caka

E kam njohur në picerinë e familjes patriotike sarandiote Dajko, në Gudhi të Athinës. Ishin vitet kur sapo kishte përfunduar karrierën e tij brilante Foto Strakosha, i cili e merrte të birin, Thomain e vogël, me vete kudo që shkonte. Marrëdhëniet e Fotit me njerëzit e afërt kishin mbetur gjithmonë të pandryshuara, saqë karriera dhe fama nuk kishin ndikuar aspak në to. Ai vinte shpesh bashkë me familjen në picerinë e mikut tim, Almend Dajko, duke i dhënë Thomasit mundësinë të mos shkëputej nga traditat e trashëguara prej prindërve.

Ndoshta pikërisht kjo e ka bërë atë që është sot, përveçse një talent i madh, Thomas Strakosha është edhe një djalë i mirë, i sjellshëm dhe me karakter. Mesa duket, Foti e kishte kuptuar herët se talenti të sjell famën dhe paranë, por kurrë nuk të bën njeri nëse nuk merr edukimin e duhur. Dhe këtë edukim ai kishte nisur t’ia jepte që fëmijë, duke e marrë me vete në çdo hap të jetës, për t’i treguar se thjeshtësia është rruga më e sigurt drejt dashurisë së njerëzve.

Ishin vite kur kudo flitej për babain e tij, por askush nuk e imagjinonte se i njëjti fat, madje edhe më i madh do ta priste djalin. Këtë e dinte vetëm i ati, i cili i kishte zbuluar herët aftësitë e Thomasit dhe e kishte orientuar drejt akademive elitare të futbollit.

Përtej portës dhe dritave të stadiumit, Thomas Strakosha mbetet një njeri i thjeshtë. Ata që e njohin nga afër flasin për një djalë të rezervuar, larg protagonizmit artificial, që zgjedh gjithmonë punën në heshtje në vend të fjalëve të mëdha. Është nga ata futbollistë që nuk e kërkojnë vëmendjen, por e fitojnë atë natyrshëm, sepse e meritojnë falë këmbënguljes së tyre. Disiplina, përulësia dhe respekti për fanellën janë parime të trashëguara nga i ati, jo si fjalë, por si mënyrë jetese.

Që i vogël, Thomas është rritur mes gjuhëve, kulturave dhe përgjegjësisë së të qenit “djali i portierit Strakosha”. Një barrë që shumë të rinj do ta kishin ndjerë si peshë, por ai e ktheu në motivim. Nuk u ngut kurrë të fliste për veten, por la gjithmonë që të fliste loja. Edhe në momentet më të vështira të karrierës, kur konkurrenca ishte e fortë dhe pritshmëritë të pamëshirshme, ai zgjodhi durimin në vend të justifikimeve dhe profesionalizmin në vend të ankesës. Madje, sipas deklaratave të vetë Fotit në media, sot shpesh i thonë se ai është “babai i Thomas Strakoshës”. Dhe ai ndihet jashtëzakonisht krenar për këtë, sepse karriera e tij brilante nuk u shua, por mori vazhdimësi përmes një trashëgimie që çdo baba do ta ëndërronte.

Suksesi i Thomas Strakoshës duket se nuk ka të ndalur. Ai po shndërrohet në vlerë si vera e vjetër, që sa më shumë kalojnë vitet, aq më i lartë bëhet niveli i tij. Kjo shihet jo vetëm te kombëtarja, por edhe te klubi i tij aktual, AEK i Athinës, ku gjithçka duket se lidhet me emrin e tij. Pritjet e tij vendimtare në ndeshjet e mëdha kanë sjellë rezultate pozitive dhe e kanë ngritur skuadrën në krye të klasifikimit. Nuk është rastësi që transferimi i tij ishte dëshirë dhe këmbëngulje personale e presidentit të AEK-ut, Dinos Iliopoulos. Rrallëherë kemi parë një president klubi kaq të lidhur emocionalisht me një lojtar, dhe aq më tepër me një portier. Tradicionalisht, tifozët e drejtuesit dashurohen me golashënuesit. Por te AEK kjo logjikë është përmbysur. Sot, për ta, Strakosha është simboli i skuadrës. Një status i pazakontë për vitet e para në një klub të ri, por i fituar me shpirt luftarak, i heshtur në fushë, por gjigant në pritje. Pritje që jo vetëm shpëtojnë ndeshje, por po ndërtojnë kryesimin në Superligën Greke. Pritje që e bëjnë portierin jo thjesht lojtar, por shtyllë identiteti.

Në një epokë futbolli ku zhurma shpesh vlen më shumë se përmbajtja, Thomas Strakosha është dëshmi se madhështia mund të jetë më mirë e heshtur për të. Ai nuk ka nevojë të flasë shumë, sepse flet porta që mbron. Nuk ka nevojë të ndërtojë mitin e vet, sepse po ndërton trashëgiminë që ja la i ati. Dhe ndoshta suksesi i tij më i madh nuk janë fama apo titujt, por fakti se, ashtu siç e deshi i ati, mbi të gjitha u bë njeri… e pastaj bëhesh kampion.