HomeBlog

Një stil entuziast nga Kryemadhi, për opozitën

Një stil entuziast nga Kryemadhi, për opozitën

Nga Mero Baze

Monika Kryemadhi është në rrugë të mbarë. Ndryshe nga Basha, ajo ka filluar t’i heqë frikën vetes për zgjedhjet edhe pas ndryshimeve kushtetuese. Më së paku, është e qartë që ndryshimet do të bëhen dhe po mendon si ta bëjë më të lehtë ditën pas ndryshimeve.

Sot për shembull e kishte gjetur një zgjidhje. Kishte çuar Edi Ramën në vend të tretë ose të katërt pas zgjedhjeve dhe e kishte zgjidhur problemin e koalicioneve.

Kjo ka pak rëndësi për rezultatin e vitit të ardhshëm. Kjo ka shumë rëndësi për nesër pasdite, kur ndryshimet do të miratohen dhe opozita do reagojë.

Nëse i përmbahemi logjikës “kërcënuese” të Bashës, opozita normalisht do të thotë “nuk hyjmë në zgjedhje”, “nuk i njohim, nuk i lejojmë”, etj., si këto. Madje, mund të shkohet dhe tek shprehja e famshme “ata do kalojnë mbi trupin tim”.

Qëndrimi i Monikës është më inteligjent dhe më politik. Ajo i lë vetes derën hapur për të folur njësoj si fituese dhe nesër pasdite. Dhe kjo është më e shëndetshme për opozitën, se sa ajo që bën Basha, duke filluar procesin e ri të të gënjyerit të militantëve.

Po ashtu është e zgjuar që dhe Meta u përmbajt sot pasdite. Prisja t’i rikthehej teorisë së sovranitetit, kundër ambasadorëve, sidomos asaj të SHBA, që e konsideron të drejtë të Parlamentit, të marrë vendime për ndryshime të tjera përtej 5 Qershorit.

Po ashtu u përmbajt dhe ndaj ambasadorit Soreca. Mund të duartrokiste për fjalinë e parë ambasadorin Soreca, që këshillon të mos bëhen ndryshime kushtetuese të njëanshme, se rrezikon që njëra palë mund të mos njohë qeverinë e dalë nga zgjedhjet. Por kjo të lë shije të hidhur, pasi ai e bën fakt të kryer që do fitojë Rama dhe ka frikë se mos nuk e njeh Basha. Pasi Rama nuk ka si të mos e njohë po fitoi, se i njeh ndryshimet kushtetuese.

Sot ishte dita e fundit, kur opozita mund të bënte sikur i bashkohej ndryshimit dhe në Këshillin Politik.

Diçka dhe bëri sot. Propozoi ndryshimin e Kushtetutës për listat e hapura. Pra thjesht nuk bien dakord për formulën e koalicioneve. Ata e duan koalicionin me shumë lista, socialistët e duan koalicionin parazgjedhor me një listë, si gjithë vendet e OSBE që bëjnë zgjedhje të lira.

Pra “virgjëria” e mos prekjes së Kushtetutës ra nga vetë opozita. Debati është sa thellë është shkuar.

Kryemadhi e ka gjetur zgjidhjen. Tani “për një plesht nuk digjet gjithë jorgani”. Nuk u bë, nuk u bë. Në zgjedhje duhet hyrë, jeta do të vazhdojë edhe pas 30 Korrikut dhe morali duhet ngritur. I ka rënë shkurt, duke “caktuar” që Edi Rama del i katërti dhe bën thirrje të vazhdojnë përpara.

Lulzim Basha duhet të mësojë diçka nga ky stil. Natyrisht jo në mënyrë kaq vulgare, por në përmbajtjen e tij. Është më mirë të shfaqesh si fitimtar entuziast, se sa si kërcënues i dështuar. Në të dyja raste mund të mos ia dalësh, por të paktën kështu si Monika, e shtyn me shpresë deri në fund kur thua se Rama do dalë i katërti. Ky stili tjetër, duke kërcënuar që “do të kalosh mbi trupin tim”, nuk shtyhet. Jo për gjë, por Edi Rama është edhe i gjatë dhe kalon pa të prekur fare.