Agolli: Këtu u vranë katër të rinj dhe ne i vështrojmë ministrin e të tjerë me sentimentalizëm dhe s’duam t’i shkarkojmë, pasi ende punojmë me mendje të vjetër. Po sikur të ishin vrarë katër veta të Partisë së Punës, a nuk do të shkarkoheshin?
Më 2 prill 1991, Shkodra u kthye në simbol të përplasjes së fundit mes një regjimi që po perëndonte dhe një shoqërie që kërkonte liri. Vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit, Shkodra shpërtheu në protesta masive kundër manipulimit të votës dhe vazhdimit të pushtetit komunist. Qindra qytetarë u mblodhën përpara godinës së Komitetit të Partisë së Punës, në një nga revoltat më të mëdha të asaj kohe. Protesta u shoqërua me përplasje të protestuesve me policinë, që më pas solli edhe momentin fatal kur forcat e regjimit hapën zjarr mbi turmën, duke shënuar një nga ngjarjet më tragjike të tranzicionit shqiptar. Si pasojë e të shtënave, mbetën të vrarë katër të rinj: studenti i dhjetorit Arben Broci, bashkë me të rinjtë Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Ngjarja solli tensione të shtuara politike dhe përplasje të ashpra mes PPSH-së dhe opozitës së sapo themeluar. Në parlament pati mjaft debate mes deputetëve të PD-së dhe atyre të PPSH-së. Në këtë debat spikat një fjalim i Dritëro Agollit, i cili bën thirrje për drejtësi për katër viktimat e Shkodrës. Gjithashtu edhe një fjalim i Xhelil Gjonit, në atë kohë deputet i PPSH-së, i cili kritikon ashpër qëndrimin e zyrtarëve të lartë komunistë në Shkodër.
Tema sjell fjalimin e Agollit dhe reagimin e Xhelil Gjonit në seancën parlamentare të 3 majit 1991, në debatin për ngjarjen e 2 prillit të atij viti.
Seancë parlamentare, 03.05.1991
Dritëro Agolli – Të nderuar deputetë,
Ngritja për diskutim e problemit të ngjarjeve të Shkodrës ishte mëse e domosdoshme, veçanërisht komisioni i posaçëm parlamentar. Kjo do të thotë se Kuvendi Popullor nuk mund të rrijë indiferent ndaj ngjarjeve që kanë të bëjnë me jetën e njerëzve, me gjakun, që kërkon respekt dhe përgjegjësi të madhe qytetare. Prandaj vështrimi i ngjarjeve tragjike të Shkodrës në Kuvendin Popullor, me këmbënguljen e disa deputetëve dhe me përkrahjen e të gjithëve, ishte një gjest fisnik dhe një tregues i rritjes së përgjegjësisë qytetare të përfaqësuesve të popullit.
Kuvendi Popullor, me shqyrtimin e kësaj ngjarjeje, jep paralajmërimin e rreptë se askujt nuk i lejohet të përdorë në mënyrë arbitrare dhe ç’njerëzore dhunën e armës dhe të përgjakë fëmijët e popullit, djemtë dhe vajzat e vendit të vet.
Në procesin e gjatë dhe të vështirë demokratik, ku të lodhshëm e ku ngazëllyes, ku të gëzuar e ku tragjik, kanë humbur jetën ose janë lënduar njerëz, qytetarë, demonstrues, kufitarë, simpatizantë të njërës ose tjetrës partie. Një njeri është vrarë këtu, një atje, një në një manifestim, një në një grumbullim turme. Për këto jetë të humbura ka pasur pak shqetësim qytetar, pak ose aspak përgjigje nuk është dhënë. Pluhuri i harresës i ka mbuluar, ndërsa të afërmit dhe shokët e viktimave përherë nuk i ka lënë të qetë dëshpërimi.
Në Shqipëri, gjatë procesit të demokratizimit, nuk janë bërë vrasje masive në turma si në Kinë apo në Rumani. Nuk kanë ndodhur sepse edhe kemi qenë të arsyeshëm, edhe pse jemi një popull i vogël, me lidhje të ngushta shpirtërore, farefisi, miqësie dhe shoqërie; nuk kanë ndodhur sepse edhe opinioni botëror do të na dënonte rëndë, nuk kanë ndodhur edhe për gjykimin e matur dhe tolerant të Ramiz Alisë.
Por vrasje të veçuara, tek-tuk, njësh e çift, nuk kanë ndodhur pak. Vrasje të kësaj natyre janë të liga dhe tinzare, finoke dhe të ulëta, pasi fshehin djallëzi, mbulohen me mjegull para opinionit kombëtar e ndërkombëtar dhe vrasësi apo shkaktari, urdhëruesi i hapjes së zjarrit apo ngritjes së dorës humb gjurmët lehtë dhe forcat e drejtësisë bien në qetësi. Kur ndodhin këto vrasje tek-tuk, e çift e çift në manifestime, grupime apo turma, të duket sikur dikush urdhëron fshehurazi, me qëllime të caktuara dhe prapamendime. Dhe kulmin kjo mënyrë e arriti me ngjarjet e Shkodrës, më 2 prill të këtij viti, ku nuk u vranë një apo dy, por katër veta. Me këtë vrasje u ngrit në këmbë një opinion i tërë kombëtar, foli edhe shtypi botëror dhe çështja u shpua deri këtu, në forumin më të lartë të Republikës, në Kuvendin Popullor, duke paralajmëruar: asnjë pikë gjaku të mos derdhet në kohën e demokracisë dhe të qytetërimit, përndryshe turpërojmë veten dhe vendin.
Deklaratat zyrtare të gënjeshtërta i rritën akoma dyshimet ndaj fajtorëve dhe e shtuan mjegullën drejt së vërtetës. Neve na vjen, me të drejtë, keq që, sipas të dhënave të Komisionit të posaçëm parlamentar, hetimet nuk kanë dhënë përfundime të qarta. Me sa duket, këto lloj vrasjesh hetuesia dhe organet e drejtësisë i kanë nënvleftësuar prej kohësh, i kanë quajtur si gjëra pa rëndësi, të nisur nga një psikologji e dëmshme, nga psikologjia e kundërshtarit, e armikut politik: “s’ka gjë, një opozitar u vra”. Kjo psikologji nuk të lejon të hetosh e të zbulosh nëse me të vërtetë kjo ekziston. Nuk duhet të nisemi nga mendimi dhe tendenca politike se për çdo skandal, që bëjnë turmat, është faji i një partie apo i një tjetre, i Partisë Demokratike apo i Partisë së Punës ose qoftë edhe i të tjerave. Po në Itali që refugjatët shqiptarë e dogjën vetë kampin ku strehoheshin, mos vallë Partia Demokratike i ka nxitur që ta djegin? Po të gjykosh në këtë mënyrë, hetimet i bën të ftohta e pa pasion, i bën si nëpunës indiferent.
Ka ardhur koha që partitë politike të luftojnë më shumë për vendosjen e qetësisë në Shqipëri, përndryshe anarkia dhe pasiguria do të bëhet rrezik i vetë partive, do të humbë jo vetëm autoritetin e tyre, por edhe do të kthehet në kërcënim të drejtpërdrejtë, pasi anarkia duket si besnike, por në të vërtetë është një bushtër e keqe dhe e pabesë.
Ne kemi hyrë në epokën e një parlamenti të ri pluralist, si rrjedhim i procesit të vështirë demokratik përparimtar. Siç thashë, derisa të vinim në këtë epokë, kemi lënë pas viktima dhe të rënë nga të gjitha korentet, partitë dhe organizatat. Ka pasur të tjerë që kanë gjetur fatkeqësinë në tokë dhe të tjerë në det, të mbytur duke ikur nga vendi ynë. Gjaku i tyre meriton nderim dhe dhimbje njerëzore. Për të gjithë këta të rënë, që janë fëmijët tanë, duke arritur kulmin me katër djemtë e Shkodrës, Kuvendi ynë duhej të kishte mbajtur një minutë heshtje. Me këtë ne do të respektonim popullin që na ka zgjedhur dhe do të respektoheshim nga populli më shumë.
Gjaku i të rënëve nuk njeh nomenklaturë. S’ka këtu të mendojmë se për ç’rang njerëzish do të mbajmë një minutë heshtje. Heshtje do të mbajmë për të gjithë të rënët dhe viktimat në këtë kohë të fitores së demokracisë, siç mbajmë për viktimat e një tërmeti. Ky që kaluam dhe po kalojmë është një tërmet shoqëror i ngadaltë, i zgjatur, jo i përnjëhershëm. Prandaj viktimat e tij kërkojnë respekt edhe në zbulimin e shkaktarëve, edhe në nderin që ne duhet t’u bëjmë.
Qeveria e ardhshme të angazhohet më seriozisht dhe më me vetëdije për Shkodrën dhe për të gjitha problemet e saj. Gjendja e Shkodrës mund të qetësohet po të shpejtohen hetimet dhe të jepen përfundime të vërteta, pa marrë parasysh asnjë lloj autoriteti që do të jetë fajtor.
Lidhur me masat që u propozuan këtu, ato janë me vend dhe i shoh shumë të arsyeshme. Ne nuk jemi mësuar me shkarkime ministrash dhe personalitetesh pas ngjarjeve tragjike. Para pak kohësh u shkarkua Ministri i Brendshëm i Koresë së Jugut pasi vdiq një student i rrahur nga policia. Këtu u vranë katër të rinj dhe ne i vështrojmë ministrin e të tjerë me sentimentalizëm dhe s’duam t’i shkarkojmë, pasi ende punojmë me mendje të vjetër. Po sikur të ishin vrarë katër veta të Partisë së Punës, a nuk do të shkarkoheshin? Është ky sentimentalizëm që ngadalëson edhe hetimet….
Xhelil Gjoni – Të nderuar deputetë,
Preokupacioni kryesor sot është qetësia e rendit. Aktualisht njeriu ynë është i tronditur, pa qetësi, madje do të thosha dhe i pasigurt. Nëse kemi patur pasuri, qetësia ka qenë pasuria më e madhe që kemi pasur gjer tani. Këtë, duket, po e humbasim dhe po na ikën nga duart për fajin tonë. Pse them kështu, shokë deputetë? Shkaqet, më duket mua, janë të ndryshme. Unë, pa iu shmangur disa konkluzioneve të dy informacioneve që na u dhanë nga komisioni parlamentar, ashtu dhe një pjesë të madhe të diskutantëve këtu, ethet partiake, elektorale, por dhe të pamësuar me pluripartizmin, më duket mua kanë të veten.
Unë, si anëtar i Partisë së Punës, nuk ua fal sekretarëve të partisë të rrethit të Shkodrës mosdaljen në turmë, edhe sikur të vriteshin. S’është humane të fshihesh vetë, kur digjet pazari. E aq më tepër, siç na thonë këtu shokët, atje kanë qenë fëmijët e tyre, në radhë të parë, nxënës shkollash, të vegjël, qofshin edhe të rritur etj. Nuk do të bëhej qameti se do të vritej një sekretar partie. Këtu shoh atë shkëputje të Komitetit të Partisë dhe ky besoj e ka analizuar vetë gjendjen, duke shkarkuar tërë strukturën dhe duke ngritur një komitet organizator me shokun Shaqir Vukaj në krye, shoh atë shkëputje flagrante të këtij komiteti me njerëzit. Deri dje, pardje, komiteti i partisë ka pasur organizatën e partisë në shkollën e mesme “Jordan Misja’”. Ku janë këta komunistë? Si nuk dolën këta në ballë të fëmijëve dhe t’u bënin thirrje sekretarëve të partisë të dilnin para turmës e të mos rrinin brenda, futur skutave! Kësaj i thonë të ruash lëkurën e të mos mendosh për popullin.
Të më falin shokët, ndoshta edhe unë jam i emocionuar, këtë ethe partiake e shoh që është hapur edhe në popull poshtë. Të them të drejtën, këto ditë kisha një gëzim, vajta në një dasmë në fshat. Gjysma e fshatit s’erdhi, megjithëse në raste të tjera ishin njësh. Dukej sikur qe futur një grindje, mëri te njerëzit. Unë kujtoj që këtu partitë duhet të mbledhin mendjen, t’i propagandojnë pikëpamjet e tyre, por jo të fusin ndasitë në njerëzit për të keq.
Unë shoh në këtë çështje edhe inkopetencat e organeve kompetente. S’dua të bëj llafologji këtu. Këto organe, më duket mua, akoma e shohin veten e tyre si dikur, kur hetuesia duhej t’i shërbente Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo prokuroria të mbështeste njërën ose tjetrën dhe nuk janë të shkëputura ta shohin veten në oponencë me njëra-tjetrën për të shkuar drejt së vërtetës. Një nga arsyet thelbësore e shoh këtë. Dhe shoh edhe inkopetentë. Ne sot nuk kemi asgjë të saktë ligjërisht.
Me pyetjet, me mundin, me lodhjen që ka bërë komisioni parlamentar, shokët janë për t’u përgëzuar. Këtu mund të kishte dhe përjashtime, mund të kishte shokë edhe më të zotë. Unë kujtoj se kanë bërë një punë jo thjesht voluminoze, pa i spostuar organet e hetimit, sepse do të bënin një gabim të dyfishtë apo të kundërt, por duke i vënë këto në lëvizje. Nga kjo pikëpamje, duke mos patur gjë të saktë, në këto kushte unë e kam të vështirë të jap gjykim. Prandaj mendoj se hetimi duhet të vazhdojë intensivisht, për dy arsye: edhe për të dalë e vërteta, edhe për t’u prerë një herë e mirë rrugën, duart, krahët, kokën, kujtdo qoftë që vë dorë mbi gjakun e popullit. Jam me atë frymë të diskutimit të Dritëroit këtu.
Katër të rinjtë e vrarë u shpallën më pas “Dëshmorë të Demokracisë”, duke u kthyer në simbol të sakrificës për liri dhe ndryshim. Por përtej këtij vlerësimi, ngjarja e 2 prillit mbetet një plagë e hapur në kujtesën kolektive dhe një provë e fortë për drejtësinë shqiptare.
E konsideruar gjerësisht si “masakra e fundit e komunizmit” në Shqipëri, ajo dëshmoi se një regjim në rënie mund të mbetet i rrezikshëm deri në momentet e fundit. Sot, më shumë se tre dekada më pas, 2 prilli nuk është vetëm një datë përkujtimore, por edhe një kujtesë se pa drejtësi të plotë, historia rrezikon të mbetet e papërfunduar.
*Fotot e realizuara nga Angjelin Nenshati

