HomeAktualitetDebat

Opozitë kllounësh: Ballukun e duan të arrestuar, ndërsa Berishën të pandehur e duan kryeministër

Opozitë kllounësh: Ballukun e duan të arrestuar, ndërsa Berishën të pandehur e duan kryeministër

Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se PD kërkon arrestimin e Belinda Ballukut, por nga ana tjetër sipas tij, nxjerrin si kandidat për kryeministër Sali Berishën që është marrë i pandehur nga SPAK.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, ku tha se kryeministri Rama pas veprimeve të fundit në mbrojtje të Ballukut i është bashkuar Sali Berishës në atë që ai e quajti aleanca anti-SPAK.

“Rama është kthyer në taktikën e rivalit politik, Berishës. Nëse deri dje ishte bashkëpunëtor për të dhënë miratimin për çdo vendim të SPAK, tani është kthyer në origjinë te demokratët, të cilët në të njëjtën mënyrë kanë refuzuar për çdo imunitet të demokratëve për të dhënë autorizime, madje kanë një të pandehur si kandidat për kryeministër. Aleanca ati-SPAK ka dalë hapur, PD dhe PS janë kundër SPAK”, tha mes të tjerash Spahiu.

Spahiu e vijoi argumentin e tij duke thënë se Balluku duhet të hetohet në gjendje të lirë nga SPAK dhe jo në masën e arrestit me burg. Kjo pasi sipas tij, gjykimi i plotë i saj mund të zgjasë deri në 4 vite. Spahiu shtoi se kjo është një kohë e gjatë për të mbajtur një grua në qeli, në një kohë që sipas tij, veprat për të cilat ajo mund të dënohet parashikojnë deri në 1 vit burg.

“Hetimet e SPAK për një vepër të tillë zgjasin minimalisht një vit. Gjykimi zgjat edhe një vit tjetër. Deri në Apel në vendim të formës së prerë shkon 3-4 vite. Tani unë kam një pyetje për gjithë publikun dhe për ata që janë pro arrestimit të Ballukut. Çfarë ndodh nëse Balluku arrestohet, por arrestohet për një vepër që dënohesh me 1 vit burg. Si mundet ta mbash në arrest 4 vite dhe ta dënosh me 1 vit burg. Për shkeljen e barazisë në tendera nuk mund të gjykohet një grua nën arrest”, vijoi më tej Spahiu.