HomeAktualitet

Opozitës së re i shtohen edhe 6 deputetë, KQZ i jep mandatin Maliqit, Hotit, Halilajt, Karamelos, Brahas dhe Hysenit

Opozitës së re i shtohen edhe 6 deputetë, KQZ i jep mandatin Maliqit, Hotit, Halilajt, Karamelos, Brahas dhe Hysenit

Duket se numri i kandidatëve nga radhët e opozitës që po marrin mandatin e deputetit sa vjen dhe po rritet dita ditës.

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin e deputetit edhe gjashtë kandidatëve të tjerë nga listat e PD-së dhe LSI-së.

Nga qarku i Beratit, Lefter Maliqi mori mandatin e Astrit Velisë të PD-së

Nga qarku i Lezhës Elda Hoti mori mandatin e lënë nga Viktor Tushaj të LSI-së.

Në Durrës mandatin e Nora Malaj e mori Edlira Hyseni.

Në Gjirokastër në vend të Vangjel Tavos të LSI e merr Ediola Braha.

Në Korçë Klevis Balliu do të zëvendësohet nga Ligoraq Karamelo.

Ndërsa mandatin e Gent Strazimirit në Tiranë do ta marrë Majlinda Halilaj.

Ndërkohë ditën e sotme edhe një kandidat nga radhët e PD për qarkun Kukës vendosi që të marrë mandatin e deputetit.

Alban Zeneli ka pranuar të marrë mandatin e deputetit të Partisë Demokratike në vend të Flamur Nokës, që hoqi dorë nga mandati.

Zeneli ndodhej pas Nokës në Qarkun e Kukësit, dhe pas heqjes dorë nga mandati nga ky i fundit, mandati i kalon pikërisht Zenelit.

Ish-deputeti i Kukësit ka dorëzuar sot në KQZ formularin e dekriminalizimit, dhe për rrjedhojë kërkon marrjen e mandatit për Partinë Demokratike.

Kujtojmë që Zeneli ka qenë deputet mandatin e kaluar dhe pas disa ditësh reflektimi, ka vendosur që të marrë mandatin e Nokës.

Zeneli është kandidati i disatë nga PD, që pranon të marrë mandatin e deputetit, ndërkohë që rrjedhja nga lista e PD-së, pritet të jetë e gjatë dhe nuk është çudi, që në Kuvend të plotësohet numri i deputetëve të PD-së që lanë mandatet.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për LSI-në, deputetët e së cilës pothuajse janë zëvendësuar të gjithë në Kuvend, pas lënies së mandateve në mënyrë vullnetare.