HomeHumor

Pak humor dhe filozofi nga Nastradini Hoxha: I kam hipur gomarit mbrapsh që të shikoj rreziqet që më vijnë nga pas, se ato që më vijnë nga para i shikon gomari!

Pak humor dhe filozofi nga Nastradini Hoxha:  I kam hipur gomarit mbrapsh që të shikoj rreziqet që më vijnë nga pas, se ato që më vijnë nga para i shikon gomari!

Një ditë, kur e panë Nastradinin që i kishte hipur gomarit mbrapsh, e ndaluan dhe e pyetën:

– Hoxhë, pse i ke hipur gomarit mbrapsht?

Ai iu tha: – “Që të shikoj rreziqet që më vijnë nga pas”.

Po rreziqet që të vijnë nga përpara? – e pyetën përsëri Nastradinin.

Ehh… ia priti ai: – “Ato i sheh edhe gomari”

“Ata që e dinë t’ua thonë atyre që s’e dinë, ndërsa ata që s’e dinë ta mësojnë prej atyre që e dinë!”

Një ditë Nastradin hoxha mblodhi burrat e fshatit dhe i pyeti: “E dini përse ju kam thirrur?” –

“Jo!”- i thanë ata. – “Po mirë, – u tha, – kur nuk e dini përse ju kam thirrur s’kam ç’u them, ikni…”

Pas disa kohësh i thirri sërish. Burrat e fshatit vendosën që këtë herë t’i thoshin se e dinë përse i ka thirrur. Sërish e njëjta pyetje:

E dini përse ju kam thirrur?” –

“Po, e dimë përse na ke thirrur!”

– “Meqenëse e dini, – u tha Nastradini, – shumë mirë që e dini, ikni në shtëpi se s’kam çfarë t’ju them…”

Qëndroi disa kohë rehat dhe sërish e njëjta punë. Këtë radhë një pjesë e burrave vendosën t’i thoshin që e dinë, ndërsa pjesa tjetër që s’e dinë përse i kishte thirrur.

E njëjta pyetje: “E dini përse ju kam thirrur?” Disa u përgjigjën: “Po, e dimë përse na ke thirrur!”, ndërsa disa të tjerë: “Jo, s’e dimë…!”

“Shumë mirë, tha Nastradini, – ata që e dinë t’ua thonë atyre që s’e dinë, ndërsa ata që s’e dinë ta mësojnë prej atyre që e dinë!”