Gjykata e Apelit e Romës ka ngritur dyshime rreth legjitimitetit të marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë, ku në bazë të saj u ndërtua edhe kampi i refugjatëve në Gjadër.
“Kërkesa për konfirmimin e ndalimit nuk mund të shqyrtohej dhe të merrej një vendim, pasi kjo Gjykatë Apeli ka dyshime mbi ligjshmërinë e dispozitave të Protokollit Itali-Shqipëri dhe të ligjit përkatës të ratifikimit, zbatimi i të cilit kërkohet për shkak të një referimi të fundit, të paraqitur nga kjo Gjykatë Apeli më 5 dhe 17 nëntor të vitit të kaluar pranë Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian”, thuhet në tre vendime të nxjerra në shkurt nga Gjykata e Apelit e Romës.
Gjykatësit theksojnë veçanërisht një kundërshti midis marrëveshjes Romë-Tiranë dhe normave në fuqi për azilin.
“Në përputhje me rregullat, kërkuesi i azilit ka të drejtë të qëndrojë në shtetin anëtar deri në marrjen e vendimit mbi kërkesën e tij”, thuhet po ashtu në vendimet e Gjykatës.

