Gjykata për Krime të Rënda ka dënuar me nga 3 vite burg tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno dhe dy vite burg biznesmenin Namik Sadiku të akuzuar për korrupsion. Por, për shkak se procesi është zhvilluar me gjykim të shkurtuar, aplikohet ulja me 1/3 e dënimit për të akuzuarit dhe 3 gjyqtarët do të bëjnë 2 vite burg, ndërsa biznesmeni do të vuajë një vit heqje lirie.
Ky i fundit, akuzohet se ka paguar udhëtimet e tre gjyqtarëve jashtë vendit, në një rast për të parë një ndeshje futbolli në Spanjë. Për këto përfitime, sipas prokurorisë, ata kanë dhënë një vendim civil në favor të biznesmenit Namik Sadiku. Gjyqtarët e Apelit të Durrësit u gjykuan nga kolegët e tyre të Krimeve të Rënda për akuzën e “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të drejtësisë”, ndërsa biznesmeni akuzohet nga prokuroria për akuzën e “Korrupsion aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të drejtësisë” të parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal. Nga hetimet e prokurorisë rezulton se gjyqtarët dhe biznesmeni Namik Sadiku, të kenë udhëtuar jashtë vendit dhe kanë parë ndeshjen e futbollit Real Madrid-Barcelona në tetor 2014, ndërkohë që kishin një proces të hapur me palët, pikërisht me këtë biznesmen. Në kohën e udhëtimit drejt Madridit, Sadiku kishte të hapur një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri.
Më herët, dyshohet se relatori i çështjes, Kliton Spahiu dhe gjyqtari Petraq Dhimitri kishin udhëtuar në shoqërinë e Sadikut edhe në Itali. Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sadiku ishte paditur nga ish-ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012, ku pas udhëtimit këta gjyqtarë dhanë vendimin në favor të Sadikut. Kujtojmë që në shkurt të këtij viti tre gjyqtarët u pezulluan nga KLD.
Hetimet e prokurorisë
Sipas prokurorisë, me ardhjen e letër-porosisë nga autoritet spanjolle dhe ato italiane rezulton se tre gjyqtarët kanë udhëtuar nga Shqipëria drejt Italisë dhe më pas Spanjës, për të parë derbin “El Clasico” mes Barcelonës dhe Real Madridit. Prokuroria ka kërkuar ndihmën e drejtësisë italiane për të marrë në Napoli dëshminë e shtetasit Ferdinando Mollo, i cili ka pranuar se kishte për vizitë në vilën e tij katër persona, dy prej të cilëve nuk i njihte. Episodi i dytë i prokurorisë, sërish u referohet udhëtimeve në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën orë me avion i tre gjyqtarëve sëbashku me biznesmenin, ndërkohë që biletat janë prerë sërish tek e njëjta kompani udhëtimi dhe përsëri numrat e prerjes janë të njëpasnjëshëm. Nga hetimet, thotë prokuroria, tre gjyqtarët kanë udhëtuar për të parë ndeshjen e futbollit në Madrid mes Realit dhe Barcelonës.
Sërish prokuroria i ka kërkuar ndihmë drejtësisë spanjolle për të zbuluar vendin ku ishin akomoduar tre gjyqtarët. Drejtësia spanjolle i thotë prokurorisë se, gjyqtarët kishin qëndruar në dhoma dyshe që janë paguar nga këshilltari i ambasadës shqiptare në Spanjë, shtetasi Fatjon Pula me vlerën e 441 euro. I njëjti punonjës i ambasadës, Fatjon Pula, ka paguar edhe dhomën e biznesmenit, i cili fillimisht ka rezervuar të njëjtin hotel me gjyqtarët dhe më pas është zhvendosur në një hotel prej 346 euro nata. Por, pavarësisht se rezulton të ketë paguar dhomat e gjyqtarëve, këshilltari i ambasadës ka mohuar të kishte njohje me ta, ndërkohë që ka pranuar të ketë paguar dhomat e biznesmenit. Prokuroria thotë se gjatë kësaj kohe biznesmeni ka komunikim telefonik aktiv me trupën e gjyqtarëve, por për Krimet e Rënda këto nuk mund të konsiderohen prova që mund ta bindin atë se, gjyqtarët kanë dhënë një vendim të padrejtë. “Pas këtij udhëtimi tre gjyqtarët janë shprehur me vendim në favor të qytetarit Namik Sadiku, cili edhe i kishte blerë biletat e udhëtimit dhe pagesat e hotelit në Spanjë”, thuhet në dosjen e prokurorit Klodian Braho.

