HomeKronike

Paralizohet juglindja! Prokuroria e Elbasanit nis hetimet për shembjen e aksit Librazhd-Pogradec: Kompania “ANK” vijon punën për pastrimin e rrugës! ARRSH: Synojmë ta hapim nesër

Paralizohet juglindja! Prokuroria e Elbasanit nis hetimet për shembjen e aksit Librazhd-Pogradec: Kompania “ANK” vijon punën për pastrimin e rrugës! ARRSH: Synojmë ta hapim nesër

Prokuroria e Elbasanit ka filluar me iniciativë të saj hetimet për dëmtimet që prej ditës së djeshme kanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec.

Aktualisht, në zonën ku kanë ndodhur dëmtimët më të rënda, e cila i përket Lotit 7 të rrugës Librazhd-Pogradec, ndodhen mjetet e kompanisë “A. N. K.” në pronësi të Agim Kolës, të cilat po punojnë për pastrimin e aksit dhe rikthimin në normalitet, ndërsa në një intervistë gjatë paradites së sotme kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, tha se synohet që aksi të bëhet i aksesueshëm nesër.

Po ashtu Loti 7 i rrugës Librazhd-Pogradec u bë i pakalueshëm edhe më 2 shkurt për 7 orë për shkak të rershqitjes së shkëmbinjve masivë dhe dherave, që dyshohet se ndodhën si pasojë e punimeve që po zhvillohen në pjesën e sipërme të këtij aksi, për zgjerimin e aksit Elbasan-Qafë Thanë. Punimet për zgjerimin e aksit Elbasan-Qafë Thanë po kryhen nga kompania “A. N. K.”, e cila ka fituar tenderin me vlerë 20.8 milionë euro.

Hetimet nga prokuroria e Elbasanit kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Për këtë qëllim është krijuar një grup hetimor.

Për shkak të dëmtimeve të rënda që pësoi rruga Librazhd-Pogradec, Autoriteti Rrugor Shqiptar bllokoi tërësisht qarkullimin në këtë aks, jo vetëm për automjetet, pro edhe për këmbësorët.

Prej më shumë se 24 orësh, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës është përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rruge që kalohet me vështirësi për shkak të infrastrukturës së amortizuar dhe që shton distancën me një orë.

Prej dy ditësh qarkullimi kryhej me vështirësi në një korsi, ndërsa sot u mbyll plotësisht pasi situata u përkeqësua, me zhvendosje të trupit të rrugës

Për drejtuesit e mjeteve, ARRSH thotë se duhet të përdorin rrugët Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan dhe Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë, ndërsa drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, duhet të përdorin rrugët në Pikën doganore Qafë Thanë – Maqedoni dhe Pikë doganore të Bllatës – Rruga e Arbërit.