HomeAktualitetDebat

Pas Monikës në Big Brother edhe Meta në emision televiziv?! Klodian i SPAK i jep dritë jeshile por Ministria e Drejtësisë e ndalon

Pas Monikës në Big Brother edhe Meta në emision televiziv?! Klodian i SPAK i jep dritë jeshile por Ministria e Drejtësisë e ndalon

Një përplasje e hapur qëndrimesh ka shpërthyer mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, lidhur me lejimin ose jo të një interviste të ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për emisionin “Off The Record” të drejtuar nga gazetari Andrea Danglli në A2 CNN.

Megjithëse SPAK për herë të parë ka miratuar zyrtarisht kërkesën për intervistë, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve kanë vendosur ta refuzojnë atë, duke ngritur arsye organizative, operative dhe sigurie. Në vendimin zyrtar, SPAK ka dhënë miratim paraprak për realizimin e intervistës, duke sqaruar se ajo nuk cenon procesin hetimor, nuk krijon rrezik procedural dhe nuk përbën pengesë ligjore.

Vendimi është firmosur nga prokurorët Sotir Kllapi dhe Arben Kraja, si dhe nga drejtuesi i SPAK Klodian Braho, dhe i është përcjellë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve si miratim zyrtar.

Pavarësisht këtij miratimi, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në një komunikim të firmosur nga vetë drejtori Klevis Qose, ka refuzuar realizimin e intervistës, duke argumentuar se i mungojnë burimet njerëzore për shoqërimin e ekipit mediatik, institucioni përballet me ngarkesë të lartë operative, ka masa të shtuara sigurie për të paraburgosur me rrezik të lartë dhe se ngarkesa e përditshme e institucionit, e bën të pamundur menaxhimin e intervistës nga stafi, për të menaxhuar gazetarin dhe kameramanin.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, prioritet mbetet siguria institucionale dhe funksionimi normal i shërbimeve, duke konkluduar se intervista “nuk është e mundur”.

Ky ka qenë argumentimi shkresor, megjithëse burime brenda këtij institucioni bëjnë me dije se urdhri ka ardhur drejtpërdrejt nga ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari i cili ka kërkuar që i paraburgosuri Ilir Meta nuk duhet të flasë. Lamallari, ende nuk ka dhënë ende një shpjegim publik të detajuar mbi refuzimin, pavarësisht miratimit të organit procedues.

Sakaq, vetë Ilir Meta ka reaguar publikisht, duke deklaruar se ndalimi i intervistës është rezultat i një urdhri politik të Kryeministrit Edi Rama, me qëllim bllokimin e zërit të tij në publik, në një moment që ai e konsideron me interes të lartë politik dhe institucional.

Po në këtë përplasje është përfshirë edhe Avokati i Popullit, i cili ka kërkuar që të garantohet e drejta e komunikimit publik, duke vënë theksin te standardet kushtetuese dhe europiane për lirinë e shprehjes.

Nga ana tjetër, drejtuesi i emisionit “Off The Record”, Andrea Danglli, i është drejtuar sërish zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë-ankim, duke kërkuar rishqyrtimin e vendimit të Drejtorisë së Burgjeve dhe duke theksuar se arsyet organizative nuk mund të prevalojnë mbi të drejtat kushtetuese, ekziston miratim i qartë nga SPAK, statusi i paraburgimit nuk e zhvesh një individ nga e drejta për komunikim publik dhe se rasti krijon precedent të rrezikshëm për kufizimin e lirisë së shprehjes për arsye komoditeti institucional.

Në kërkesë përmenden shprehimisht Neni 22 i Kushtetutës, Neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe parimi i proporcionalitetit. Deri më tani, ky rast ka dalë tashmë nga korniza e një interviste televizive dhe është shndërruar në një test institucional.

Për momentin, SPAK thotë “po”, Ministria e Drejtësisë thotë “jo”, ndërsa përgjegjësia politike dhe institucionale mbetet pezull.