Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka përplasur sërish palët në Këshillin Politik. Opozita thotë se ne propozimin e saj i ka kushtuar rëndësi të posaçme formulës që garanton pavarësinë, njësoj si tek organet e drejtësisë, e dakordësuar me konsensus nga palët politike dhe e certifikuar edhe nga Komisioni i Venecias.
Ndërkohë, përfaqësues i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri i kërkon opozitës të sjellë një tjetër propozim që respekton faktin që Kuvendi është sovran në zgjedhjen e organit të KQZ duke siguruar edhe konsultimet dhe dakordësimet në lidhje me emrat që plotësojnë kriteret dhe kanë miratimin tuaj.
Enkelejd Alibeaj, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike thotë se formula e propozuar nga Partia Demokratike është e ndershme dhe proporcionale, e mbështetur mbi modelin e zgjedhjes së organeve të vettingut sipas parimeve të certifikuara nga Komisioni i Venecias.
“Sipas marrëveshjes së dakordësuar më herët në Këshillin Politik, KQZ duhet të përbëhet nga tre trupa; një nga të cilat përbëhet nga komisioneri, një trupë nga 5 anëtarë, dhe tjetra KAS, zgjidhja e konflikteve, po 5 anëtarë.
Përbërja e këtyre trupave do të jetë proporcionale. Komisioneri do të zgjidhet me konsultim, por i shkon palës që ka fjalën e fundit, qeverisë. Në fund të kësaj dakordësie duhej që qeveria të vinte me një formulë si duhet t’i zgjedhim këta njerëz. Duke qenë se nuk pati një propozim, ne para tri ditësh ofruam formulën, nuk bëmë shpikje.
Huazuam formulën që është e shkruar në Kushtetutë sipas mënyrës si janë zgjedhur organet e vetingut. Çdokush mund të aplikojë tek Avokati i Popullit.
Të krijohet një komision ku të jetë një shumicë qeveria, të bëjmë një përzgjedhje të trupës së parë, ku qeveria merr 3 dhe ne 2, dhe të trupës së dytë po njësoj, komisionerin e merr qeveria dhe zv/komisionerin e marrim ne. Në fund Kuvendi do t’i votojë të gjithë grup”, shpjegoi Alibeaj.
Sipas tij, në shkresën dërguar përfaqësuesit të PS i është bërë me dije se opozita është e interesuar që marrëveshja të mbyllet sa më shpejt, dhe se janë të hapur për të diskutuar propozimin e tyre apo edhe një propozim të ri që mund të sjellë mazhoranca, por me një kusht.
“Jemi të gatshëm ta mbyllim sot, sillni edhe ju një propozim me kushti që të respektohet marrëveshja dhe garancitë e opozitës. Jemi të hapur që mbi propozimin që kemi bërë të marrim vërejtjet dhe të diskutojmë”, tha ai.

