HomeSport

Peshëngritje/ Briken Calja merr kupën e më të mirit, te femrat triumfon një 44-vjecare

Peshëngritje/ Briken Calja merr kupën e më të mirit, te femrat triumfon një 44-vjecare

Kampionati kombëtar i peshëngritjes u zhvillua sot në Tiranë, pikërisht në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Ishte një aktivitet me pjesëmarrje të bgjerë, por nuk u “respektuan” peshat fikse. Në të vërtetë u bë garë sipas peshës së sportistëve, një kategorizim i oritentuar nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes.

Me interes është të shprehim që në fillim se te meshkujt kupën e më të mirit e mori Briken Calja, kampion në fuqi i Europës, ndërkohë që te femrat kampione dhe sportistja më e mirë u shpall një 44-vjecare, Shqiponja Braha, e cila vijon të sfidojë vitet e moshës e të shërbejë si inkurajim për më të rejat.

Kampioni dhe sportisti më i mirë Briken Calja ngriti në shkëputje 148 kg, në shtytje 177 kg dhe në dygarësh 325 kg. Një rezultat në kuotat e tij maksimale të peshës trupore 69 kg, megjithëse Calja garoi në këtë aktivitet në peshën 73 kg. Peshëngritja ka nisur të operojë sipas një formati modern e standard, ku fituesit i nënshtrohen testit antidoping.

Theksojmë së fundmi se fituesit dhe më të mirët e këtij kampionati do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror që zhvillohet në fund të këtij viti në Turkmenistan. Ambiciet e shtangës janë të sigurojë sa më shumë kualifikime për në Lojërat Olimpike të Tokios më 2020.