Ish-deputeti Plarent Ndreca ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në çështjen Abo kundër Turqisë, duke e përdorur këtë rast si shembull paralelizmi për gjendjen e drejtësisë në Shqipëri. Në një postim, ish-anëtari i Komisionit të Ligjeve argumenton se rasti tregon se çfarë ndodh kur sistemi gjyqësor nuk synon të korrigjojë shkeljet, por të justifikojë apo të mbrojë gabimet e veta.
Ndreca thekson se vendimi i Strasburgut “është pasqyrë brutale e degradimit institucional”, dhe se ngre pyetje të drejtpërdrejta mbi mënyrën si funksionon sot drejtësia shqiptare, sidomos në raport me të drejtat themelore dhe korrigjimin e shkeljeve procedurale.
Postimi i plotë:
Vendimi i GJEDNJ-së në çështjen Abo kundër Turqisë është më shumë se një rast individual. Është një pasqyrë brutale e asaj çfarë ndodh kur sistemi i drejtësisë, në vend që të korrigjojë shkeljet, mobilizohet për t’i justifikuar ato.
GJEDNJ tha qartë:
shkelja proceduriale (mungesa e avokatit) nuk është “teknike”,
rigjykimi nuk është favor, por detyrim,
gjykatat e larta nuk janë për të mbrojtur gabimet e gjykatave të ulëta, por për t’i korrigjuar ato.
Në Turqi, gjykatat e ulëta e zbrazën vendimin e Strasburgut nga përmbajtja.
Gjykata Kushtetuese duhej ta korrigjonte. Nuk e bëri.
Pasojë: GJEDNJ u detyrua ta dënonte sërish shtetin për rezistencë gjyqësore, për formalizëm dhe për shkatërrim të sigurisë juridike.
Tani pyetja nuk është më vetëm për Turqinë.
Pyetja është për ne. Për Shqipërinë.
A është sot sistemi ynë i drejtësisë i aftë të korrigjojë realisht shkeljet proceduriale dhe shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut?
A është shndërruar në një sistem korporativ, që kërkon mekanizma jo për të ndrequr padrejtësinë, por për ta minimizuar rëndësinë e shkeljeve të vetë sistemit gjyqësorë?
Për të relativizuar të drejtën për mbrojtje efektive?
Për të mbrojtur vendimet e prokurorëve dhe gjykatave të ulëta me iluzionin se “po bëhet drejtësi”?
A është kjo drejtësi evropiane?
A është kjo drejtësia që kërkuam kur u bë reforma?
A janë sot këta gjyqtarë dhe prokurorë patriotë të ligjit, apo shkatërruesit më të rrezikshëm të shtetit të së drejtës dhe besimit publik, një besim që rikuperohet shumë më vështirë se sa shkatërrohet?
Një drejtësi që nuk korrigjon gabimet e saj, nuk është drejtësi është simulim i saj, është korporatë gjyqësore.
P.s. Po ju citoj pjesën konkludive të vendimit Strasburgut dhe më poshtë gjeni linkun e vendimit të plotë.
GJEDNJ në këtë rast shprehet: “Për sistemin gjyqësor turk, ky vendim nxjerr në pah domosdoshmërinë e një ndryshimi në mentalitetin ndaj vendimeve të GJEDNJ-së. Në vend që këto vendime të anashkalohen përmes aktivizmit gjyqësor apo të zbrazen nga përmbajtja e tyre përmes interpretimeve formaliste, duhet të adoptohet një praktikë e sinqertë, e orientuar drejt të drejtave dhe në përputhje me frymën e Konventës. Në të kundërt, Turqia do të vazhdojë të humbasë reputacionin e saj në lidhje me shtetin e së drejtës.
Megjithëse beteja njëzetvjeçare e Davut Abo-s tregon se sa e mundimshme mund të jetë rruga drejt drejtësisë, ky vendim përfaqëson një pikë referimi të rëndësishme që mban gjallë besimin se, në fund, ligji do ta gjejë rrugën e vet.”
https://strasbourgobservers.com/2025/12/09/the-echr-judgment-in-abo-v-turkey-an-analysis-of-judicial-resistance-legal-certainty-and-the-limits-of-constitutional-review/

