6 persona, mes tyre, 3 fëmijë të vegjël, anëtarë të një familjeje shqiptare u plagosën në një aksident në Liedermatte të ndodhur mëngjesin e 7 janarit në Waldshut-Tingen të Gjermanisë, afër kufirit me Zvicrën.
Një kamion u përplas me makinën në të cilën udhëtonte familja shqiptare e cila po kthehej nga Kosova. Aksidenti ka ndodhur pak minuta para se të mbërrinin në vendin ku jetonin.
Shkaku i aksidentit është ende i paqartë, tha zëdhënësi i policisë. Një person u bllokua në makinë nga përplasja dhe u desh të nxirrej nga zjarrfikësit.
Familja shqiptare ishte me origjinë nga fshati Ratkoc i Rahovecit. Të aksidentuarit kanë pësuar lëndime të rënda.
Fëmijët e lënduar janë të moshës nga 5 muaj deri në 3 vjeç. Ata u transportuan me helikopterë shpëtimi në spitalet e fëmijëve. Shkalla e lëndimeve të tyre është aktualisht e paqartë. Disa helikopterë shpëtimi u aktivizuan në këtë ngjarje.
