HomeAktualitet

“Po talleni me Shqipërinë”! Komisioneri Varhelyi bën thirrje për durim: BE po tallet me veten jo me ju

“Po talleni me Shqipërinë”! Komisioneri Varhelyi bën thirrje për durim: BE po tallet me veten jo me ju

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë pranë Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, deklaroi se autoritetet shqiptare duhet të bëjnë durim pasi Konferenca e Parë Ndërqeveritare duhet të mbahet brenda presidencës franceze.

“Nuk mund të kemi një luftë në dorë dhe Evropa të mos bëjë gjithçka ka në dorë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi fillimisht zyrtari evropian.

Deklarata e komisionerit erdhi gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Teksa u pyet nga gazetarët për përsëritjen e deklaratave të mëparshme, Varhelyi deklaroi “pa dorashka” se askush nuk po tallet me Shqipërinë, por “BE-ja po tallet me veten”.

Sipas tij, autoritetet duhet dhe mund të vendosin dhe të krijojnë stabilitet afatgjatë në Ballkan.

“Integrimi i vërtetë në terren nuk ka të bëjë vetëm me procesin por me mënyrën se si do ta ndryshojmë realitetin në terren”, shtoi Varhelyi.

Ndër të tjera, komisioneri u shpreh se vizita i dha një mesazh shumë të fortë, pasi plani i investimeve ka filluar të funksionojë siç duhet.

Zyrtari evropiani e nisi vizitën e tij në Tiranë me një takim, ku u prit nga anëtarë të institucioneve të vettingut.

Fillimisht ai theksoi sërish edhe mbështetjen e unionit sa i përket Reformës në Drejtësi.

“E nisa vizitën time me një shkëmbim të mirë me institucionet e vettingut sot në Tiranë. Rikonfirmova mbështetjen e plotë dhe të fortë të BE-së.

Integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve është çelësi për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sulmi ndaj organeve të vettingut dhe anëtarëve apo familjeve të tyre duhet të ndalet!”.

Kështu shkruan komisioneri në profilin e tij në Twitter.

Vettingu është edhe një ndër proceset, për të cilat është lobuar më së shumti nga Bashkimi Evropian në Shqipëri.