Nga Frrok Çupi
Ka qenë një ditë si kjo sot. Ndoshta me më shumë shi. Njëzet apo nëntëmbëdhjetë vjet më parë; diku afër. Disa që e hapnin dhe e mbyllnin ditën në Hotel Rogner, atë ditë u ndien të paduruar, u kruhej lëkura.
-Ore!- thanë me njëri tjetrin.- Sikur ta rrëzojmë këtë qeveri. Të shohim a na del më mirë.
Dikush tha se ‘më keq do të bëhej’.
“Ku më keq, vëlla?… Le të bëhet. Le të mblidhen të gjithë qelbësirat, veç kjo të zhduket.
Shumica prej tyre ishin njerëz të medies. Me ato pak gazeta copë- copë që kishte atëherë. Ishte ajo kohë kur pesë vetë prej këtyre turbullonin ujërat dhe vihej në rrezik vetë stabiliteti i vendit.
Edi Rama atëherë ishte shumë pranë gazetarëve. Siç po duket, aty ‘në bandë’ si Pal Mëlyshi, kuptoi se të njëjtën gjë do të bënin edhe sikur vetë të merrte në dorë qeverinë. Dhe nuk ua vërshëlleu kur e mori qeverinë; as u dha fonde pa fund reklamash, as u krehu bishtin.
Sikur të kishte bërë të kundërtën, vallë sot kryeministri ku do të dergjej?!
Nuk është njësoj, madje as e krahasueshme kjo kohë me atë kohën atëherë. Sot maxhoranca ka kapacitete të dhënë nga vota qytetare aq sa edhe sikur qelbësirat të bëhen sa mali Himalaja, prapë stabiliteti politik i vendit ‘as ia ndien’. Pale!, me këtë opozitë që sa del në shesh apo sa hap gojën i tremb njerëzit sa ‘gjithë qelbësirat’.
Po bëjnë prova a del gjë prapë sot.
Janë po ata që ishin dhe disa të tjerë. Është e njëjta kategori, gazetarë e politikanë. Nuk është më Hotel Rogneri, i cili atëherë ishte i vetmi ku bëheshin sfilata. Tani janë fshatrat turistikë, vilat luksoze, Marrioti, Lalëzi, Tirana. Shqipëria ka ndryshuar,këta jo.
Thirrja e fundit për ‘gjithë qelbësirat’ ishte sot. Madje shumë domethënëse edhe pse cili e bëri thirrjen. Burri që doli në ekran bën edhe si i gazetarisë, por edhe politikan.
“Këtu qeverisin bandat”, tha Luciano Boci.
Edi Rama është pika lidhëse e të gjithëve!’, tha pastaj.
Për t’ia ulur kokën atdheut, shpikin qelbësira. Thirrja e politikanit jehonte në veshë banditësh:
“Kudo ku jeni fshehur, ja ku jam, iu presim. Të mblidhen qelbësirat!”, lëshoi thirrje Boçi.
Të shikojmë sa prej tyre do të vijnë sot e nesër.
Ka nisur prej ditësh zelli në gjueti për ‘qelbësira’. Dikush tha se ‘Balluku ka dy jahte!’. Por tepër, nuk mund ta besonin këtë. Politikanëve u doli huq rrena dhe e lëshuan.
Shpikën apartamente. Përderisa njerëzit kanë qejf të kenë shumë apartamente, lëshuan thirrje se Balluku ka treqind. Fillimisht thanë tridhjetë; erdhën duke i shtuar sa më shumë u mblidheshin qelbësira rreth pallateve. Djali i Balliut, politikan ‘deli djalë’, i bëri për budallenj të gjithë të tijtë. Nuk shkonte numri fiks, 300. Doli në tribunën e Saliut dhe thërriti se ‘Balluku ka 314 apartamente’. Shtoi edhe 14. Kështu besohet, pritet të mblidhen qelbësirat.
Edhe Fevziu e kishte ngrënë ullirin se ‘Agaçi ka 3 milionë euro verë’. Deri dje qelbësirat kishin thënë ‘1.2 milionë euro’. Siç duket rrena eci mirë dhe gazetari e shtoi fondin brenda ditës në 3 milionë euro.
Bursa e qelbësirave ecën me një shpejtësi llahtar, nuk ka ligjësi as financë. Ç ‘imagjinata kanë shpërthyer!?
Edhe Salijanjin e PD e sulmuan ata të PD-së si një ‘njeri pa moral, gënjeshtar, spiun dhe që sulmon qenin’. Me qëllim që të suleshin gjithë qelbësirat e ta shqyenin. Viktor Zhustin, aktorin e shquar, e prozvaldën pse ruajti dinjitetin para qelbësirës.
Të gjithë mblidhen një ditë. Por a është tani kjo dita? Qelbësirat fitojnë kur pala tjetër është e dobët. Fitojnë kur qeveria cedon. Ndërsa fati është që Shqipëria është shumë mirë, në stabilitet, me autoritet…, dhe qelbësirat janë minorë.
Se vërtet një herë, para 19 vjetësh kjo taktikë ‘u piu ujë’. Ka ndodhur edhe nëpër botë që qelbësirat kanë kryer revolucion dhe kanë përmbysur vlera. Së pari në vendin tonë me skemat piramidale ku u plaçkitën kursimet e vetme të qytetarëve. Këta të sotmit, këta kanë qenë.
Synimi kryesor është pushteti dhe vjedhja e pasurisë kombëtare. Gangsterët nuk e bëjnë vetë revolucionin, por përdorin të tjerë, si qelbësirat në këtë rast. Këtë e ka bërë mafia në Itali, Sicili, që rrëzoi qeverinë lokale. Kartelet e drogës në Kolumbi dhe Meksikë. Bandat e qelbësirave në Haiti kanë paralizuar shtetin.
Bandat e qelbësirave nuk kanë ideologji. Kanë vetëm kaosin si mjet. Si mjet kanë edhe shpifjen, imagjinatën kriminale, paturpësinë. Pushtojnë rrugë, porte, aeroporte, furra buke, shkolla.
Qelbësirat gjejnë shesh aty ku cedon shteti dhe qytetaria.

