Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme për urdhër-arrestet që Prokuroria e Durrësit nxori pak ditë më parë, për përgjegjësit për mbetjet e rrezikshme të Kurum, të cilat pasi u kthyen nga Tajlanda, vijojnë të qëndrojnë në Porto Romano.
Gjatë fjalës në podkastin e tij ‘Flasim’, Rama u shpreh se vendimi i prokurorit që preu këto urdhër-arreste ishte i padrejtë, pasi sipas tij, çështja në fjalë nuk përmbush asnjë kusht të drejtësisë demokratike për masën ‘arrest me burg’ ndaj 33 personave.
Rama ‘u preu shpresat’ atyre që sipas tij pretendojnë se “lajthitjet” e drejtësisë së re do të ndihmojnë opozitën për të ardhur në pushtet. Kjo pasi sipas kryeministrit, ai që vendos është vetëm populli shqiptar përmes votës.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër. Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën “hosana” dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokurore në Durrës, e cila në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes, – u them një gjë… Kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë, sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë.
Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse. Kaq e thjeshtë është!

