Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Ulsi Manja ka paraqitur raportin e PS mbi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe lejimin e masës së arrestit ndaj Belinda Ballukut. Në fjalën e tij, Ulsi Manja tha se është diskutuar relacioni, mendimet si dhe dokumentet e SPAK. Në mbyllje të Fjalës Manja tha se nuk rekomandon masën e arrestit ndaj Ballukut
Manja theksoi se Balluku tashmë nuk është më ministre, ndaj edhe kërkesa e SPAK për rrezikun e prishjes së provave mbetet hipotetike, sa kohë lidhet me ushtrimin e funksioneve ekzekutive.
Manja tha se po kërkohet zëvendësim mase, pasi të tjerat, si ndalim daljes jashtë shtetit, janë në fuqi.
Mbetet vetëm diskutimi i prishjes së provave apo rëndimit të akuzës. Raporti im u referohet vetëm këtyre të fundit. Kuvendi nuk zëvendëson gjykatën, por është një filtër kushtetues dhe nuk mund të jetë formal. Ai ruan balancën në raport me pushtetet e tjera.
Deklaratat për prishjen e provave janë thjesht hipotetike.
Avokatët e Belindës nuk patën pretendime për ndjekjen penale, por Këshilli konstaton një fakt publik. Kallëzimi në gusht 2024 u bë nga Lulzim Basha, ish-kryetar i PD, dhe në shtator 2024 nga sekretari i PD, Gazmend Bardhi. Ai është në konflikt interesi pasi ka bërë kallëzimin. Paditë janë bashkuar dhe mbajnë një numër unik procedimi.
Viti 2024 koincidon me periudhën parazgjedhore. Pastaj janë zgjedhjet e vitit 2025 dhe më pas ashpërsim të gjuhës politike që e ka ndjekur këtë proces.
Në analizë nuk jemi ndalur në këtë pikë, pasi respektojmë qëndrimin e mbrojtjes dhe të Ballukut, që e konsiderojnë çështje drejtësie.
Jemi ndalur në rrezikun e ikjes apo kryerjes së një vepre tjetër.
Ka një fakt me rëndësi. Jemi bazuar në provat dhe arsyetimin e prokurorisë dhe nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale. Bëjmë kontroll kushtetues nëse kërkesa e SPAK është strikt proceduriale.
Nuk dolëm me një raport me opozitën pasi ndahemi në qëndrime. PD mbron tezën se Kuvendi kufizohet në verifikim formal dhe jo në vlerësimin e masës së sigurimit.
Shumica mendon se kjo qasje nuk përputhet me nenin 73 të Kushtetutës, ku kërkohet edhe thelbi. Ky nen i jep Kuvendit jo vetëm rol formal.
Nëse do duhej që Kuvendi të japë vendimin sa herë e kërkon SPAK, kjo dispozitë duhej hequr.
Imuniteti nuk ekziston më prej vitit 2012. Deputeti hetohet si çdo njeri. Por kufizohet vetëm për lirinë personale, ku autorizimi merret nga Parlamenti. Ky është mekanizëm balancues.
Për Ballukun ka hetim që nga gushti 2024. Ka një masë sigurimi personal, ndalim dalje jashtë shtetit. SPAK po heton lirisht dhe nuk po ndalohet hetimi. Zëvendësimi i masës i takon seancës parlamentare pas raportit rekomandues.
Pritëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e pezullimit, ku palët u ndanë 4 me 4. Edhe Gjykata e Apelit priti dhe respektoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Rrethanat faktike janë të tilla: në gusht dhe shtator 2024 dhe një në 2025 janë tre procedura të bashkuara në një për shkelje të procedurave në tendera. Më 19 nëntor 2025 u vendos ndalimi i daljes jashtë vendit. Më 16 dhjetor u kërkua zëvendësimi i masës me kërkesën për rrezik prishjeje provash, arratisjeje dhe kryerje të veprave të tjera.
Diskutuam me dyer të mbyllura për sekretin hetimor, siç e kërkoi SPAK. Kemi këtë qëndrim.
Për rëndimin e masave të sigurimit: dispozita kërkon rrethana objektive që e bëjnë masën aktuale të pamjaftueshme për hetimin. SPAK thotë se janë shtuar edhe disa fakte dhe episode penale, çka sipas prokurorisë e shton automatikisht sanksionin dhe dëmin hipotetik që ka pësuar shteti nga këto procedura.
Në vlerësimin tonë, nëse çdo zgjerim hetimi konsiderohet rrethanë e re, i bie që çdo procedim penal do të përfundonte në paraburgim, çka bie në kundërshtim me natyrën e proporcionalitetit.
Paraburgimi mbetet mjeti i fundit. Nuk ka një hetim tjetër por i njëjti pretendim shkelje e barazisë në tendera.
Rreziku i prishjes së provave me persona të tjerë dhe presione. Lidhur me këtë, sigurisht në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme i referohet funksioneve ekzekutive në qeveri, por ky shkak ka rënë. Përtej kësaj, lidhur me rrezikun e prishjes së provave nuk ka një akuzë për pengim drejtësie.
E dyta, qoftë në relacion dhe në parashtrimin e palëve nuk ka provë direkte apo indirekte ku Balluku të ketë përdorur ndikimin e saj në prishjen e provave, aq më tepër që vepra penale për të cilën akuzohet është vepër administrative penale.
Pra dokumentacioni i praktikave sot janë të sekuestruara dhe janë në dispozicion të prokurorisë. Ka edhe një sërë provash me dëshmitarë që i ka prokuroria.
SPAK na paraqiti një procesverbal ku dy shtetase komunikojnë me njëra-tjetrën lidhur me dëshminë që njëra prej tyre ka dhënë në prokurori. Ajo pretendon ose ka pretendime se është intimiduar. Nuk rezulton që të jetë intimiduar nga deputetja drejtpërdrejt, jo e jo, por edhe kur thuhet nga kabineti, kjo mbetet abstrakte dhe nuk ka emra. Hetimi nuk bëhet mbi kabinetin.
Pretendimi se është intimiduar nga persona të fortë shoqërohet me deklarimin se do t’i qëndrojë dëshmisë dhe nuk do ta ndryshojë, edhe sikur të intimidohet nga të fortë.
Një dëshmi e tillë me mjete të posaçme janë mjete të kërkimit të provës, por nuk mund të jenë provë. Ajo ka statusin e të pandehurës dhe, referuar kodit, thëniet e një të pandehuri merren me rezervë, pasi ai nuk mban përgjegjësi penale për një dëshmi të rreme.
Pra, rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale.
Interpretimi se çdo funksionar publik që administron fonde i shpërdoron ato nuk qëndron. Kështu që edhe ky pretendim nuk qëndron.
Në përfundim, ne si anëtarë të mazhorancës në Këshillin për Mandatet arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për masën e sigurimit, për zëvendësimin e masës së detyrimit të daljes jashtë vendit me masën e arrestit me burg apo në shtëpi.
Është e vërtetë që lufta ndaj korrupsionit është objektiv i rëndësishëm, por duhet të zhvillohet sipas Kushtetutës dhe në respekt të lirive të njeriut.
Rekomandojmë rrëzimin e kërkesës së SPAK

