HomeAktualitetDebat

Radiografia e disfatës: PD-PL 250 mijë vota më pak se në 2021, humbësit më të mëdhenj Gaz Bardhi, Xhelal Mziu dhe Tritan Shehu

Radiografia e disfatës: PD-PL 250 mijë vota më pak se në 2021, humbësit më të mëdhenj Gaz Bardhi, Xhelal Mziu dhe Tritan Shehu

Nga Adriatik Doçi

Teksa po numërohet votat në kutitë e fundit, humbja përtej pritshmërive e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, po merr formë përfundimtare. PD, nën drejtimin e Sali Berishës, rezulton me një rënie prej 12.5 % të votave krahasuar me rezulatatin në zgjedhjet e 2021. Në zgjedhjet e 11 majit, PD, bashkë me aleatët, ka marrë rreth 170 mijë vota më pak se sa (PD pa LSI) në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Disfata e PD-së merr një tjetër përmasë nëse konsiderojmë një tjetër tregues elektoral. Në këto zgjedhje, PD-ja garonte e shkrirë me Partinë e Lirisë, ish LSI-ja. Në vitin 2021, LSI-ja ka marrë 107 mijë vota. PD dhe ish LSI kanë marrë rreth 730 mijë vota në 2021. Në këto zgjedhje, Partia e Lirisë ishte e përçarë dhe me kryetarin në burg. Ndoshta votat e PL-së janë pakësuar deri në përgjysmim në këto zgjedhje.

Gjithsesi, PD dhe PL, në zgjedhjet e 11 majit nuk arrijnë dot të marrin 500 mijë vota. Koalicioni i opozitar ka humbur të paktën 250 mijë vota në raport me rezultatin në 2021. Në të 12 qarqet, PD-ja, e shkrirë me PL-në, ka rënë nga 9 deri në 20 % në raport me zgjedhjet e 2021, kur garonte pa LSI-në.

Rrudhjen më të madhe PD-ja e ka pësuar në qarqet e Fierit, Dibrës dhe Gjirokastrës, ku fushata është drejtuar nga Gazment Bardhi, Tritan Shehu dhe Xhelal Mziu. Barra e humbjes në rang kombëtar rëndon mbi Sali Berishën, por edhe mbi Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, i cili shan dhe kërcënon çdo qytetar që nuk mendon si ai.

Opozita pretendon se ‘narkoregjimi’ i ka vjedhur zgjedhjet. Është një alibi që përsëritet që nga viti 2015. Por, ka një fakt që e rrëzon këtë pretendim; Opozita ka fituar në Lazarat, Kavajë, Mirditë, Kukës, Shkodër, në Krujë, në Pukë, në Has, në Kamëz etj. Së dyti, nëse bashkojmë votat e PD-së me tre derivatet e saj, digerenca me PS është e ngushtë.

Rënia e PD-së sipas qarqeve

Fier 20.2 %, drejtues fushate Gazment Bardhi

Dibër 14.4 %, drejtues fushate Xhelal Mziu

Gjirokastër, 14.2 %, drejtues fushate Tritan Shehu

Korçë, 13.9 %, drejtues fushate Ivi Kaso

Lezhë, 13.6 %, drejtues fushate Agron Gjekmarkaj

Shkodër, 13.4 %, drejtues fushate Luçiano Boçi

Elbasan, 12.5 %, drejtues fushate Tomor Alizoti

Berat, 12.5 %, drejtues fushate Enno Bozdo

Vlorë, 11.6 %, drejtues fushate Bujar Leskaj

Tirana, 10.4 %, drejtues fushate Belind Këlliçi

Kukës, 12.5 %, drejtues fushate Flamur Hoxha

Durrës, 9 %, drejtues fushate Oerd Bylykbashi