HomeAktualitetDebat

Rama: Korridori VIII, vepër shumë e madhe për t’u zhytur në baltë

Rama: Korridori VIII, vepër shumë e madhe për t’u zhytur në baltë

Kryeministri Edi Rama pas inspektimit të aksit Librazhd-Prrenjas ka para banorëve të zonës lidhur me projektin e Korridorit VIII. Rama theksoi se projekti nuk u pranua fillimisht nga BE-ja si një korridor europian. Sipas tij refuzimi erdhi nga disa vende të BE-së.

“Korridori VIII ka qenë prej kohësh i kuptuar dhe i deklaruar strategjik por nuk ka qenë i pranuar nga BE si një korridor europian. Arsyeja ka qenë se jo të gjitha vendet e BE e dëshironin këtë korridor dhe ka pasur gjithmonë refuzim nga ana e BE për ta përfshirë në korridoret europiane sepse përfshirja i jep një korridori vlerën si një aset i BE.

Duke qenë aset i BE, bëhet i financueshëm nga fondet europiane ose që mund të merren nga organizatat financiare. Ka qenë puna, diplomacia jonë që në samitin e zhvilluar në Tiranë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor ky korridor u fut në rrjetin europian. Natyrisht që duke u bërë kjo, jo vetëm u kuptua natyra strategjike e tij, por edhe rëndësia”, tha ai.

Rama më tej shtoi se ky projekt është shumë i madh për t’u zhytur në baltë.

“Korridori duhet të ndërtohet edhe në vendet që i kemi ngjitur apo më pas, në RMV e Bullgari. Përpjekja jonë për një krah ushtarak do ta bëjë edhe më të rëndësishëm dhe do të rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme vlerën e tij, pronës dhe impaktin ekonomik e social. Është vepër shumë e madhe për t’u zhytur në baltën e makinerisë që veç e prodhon”, tha Rama.

Gjithëashtu Rama ka folur lidhur me shembjen e rrugës në aksin Librazhd-Prrenjas. Rama theksoi se nga shembja e aksit u ngritën akuza dhe gënjeshtra se rruga u shemb nga korrupsioni. Ai vuri theksin se rrëshqitjet ndodhën për shkaqe natyrore.

“Plagë e hapur që ka shkaktuar një rrebesh balte të jashtëzakonshëm të prodhuar nga makineria e baltës politike e mediatike që ka tundur 700 tenxheret me gjithfarë shpifjesh, akuzash e fantazish se me demek, u shemb rruga nga korrupsioni ndërkohë që është shumë e qartë që segmenti është i vjetër dhe rrëshqitja lidhet me një fenomen tërësisht natyror.

Shpejtësia e gënjeshtrës është bërë shumë më e madhe, ndërkohë që e vërteta është në vështirësi shumë të madhe për shkak të vorbullave dhe uraganëve të gënjeshtrave që vijnë nga të katra anët na pasqyrat e telefonave dhe kanalet e medias.

E vërteta në fund gjithmonë del dhe fiton. Duhet vetëm durim dhe këmbëngulje për të vazhduar drejt. Më vjen keq që gjëja ka ndodhur, ka shkaktuar shumë shqetësime dhe ka prishur ritmin e jetës për shumë banorë, por jemi këtu për të vënë qetësi për një kalendar pune dhe afatet e reja që i kemi vënë vetes”, tha ai.