Kryeministri Edi Rama teksa parashtroi disa nga argumentet e tij se pse është pro listave të mbyllura në zgjedhje, ironizoi dhe një deputet të opozitës, që sipas tij ishte rast unikal në planet.
Rama foli për rastin e një deputeti në Kuvendin e Shqipërisë, i cili ka bërë fushatë për PS dhe është futur si deputet i PD, ndërsa thotë se mes atyre dy kohëve ka fituar një post si drejtor.
“Është një deputet që është produkti më domethënës pse koalicionet nuk janë një unitet demokratik. Është një deputet që nuk ka votuar veten e vet. Ka ardhur deputet i PD, ka bërë fushatë për PS dhe ka kapur një drejtori mes dy kohërave”, tha Rama.
Edhe pse Rama nuk e tha me emër, nga të dhënat që dha bëhet fjalë për Lefter Maliqin, i cili ka qenë kandidat i PD dhe në mes të fushatës braktisi Bashën dhe kaloi me Partinë Socialiste, ndaj dhe u shpërblye me postin e zv.drejtori të Përgjithshëm të Burgjeve.
Më pas Maliqi e la edhe PS-në, për t’u futur në listat e Partisë Demokratike, ku u fut në Kuvend pas djegies së mandateve të deputetëve të opozitës.
Maliqi është shprehur gjithmonë se nuk e ka problem ndërrimin e partive, dhe se do të shkojë gjithmonë me partinë që i duket më e përshtatshme.

