Në episodin e fundit të sezonit të 5-të të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama bëri thirrje për vazhdimin e angazhimit për integrimin europian të Shqipërisë dhe për një të ardhme ku sundon ligji dhe drejtësia.
Rama theksoi se Shqipëria është në rrugën e integrimit europian dhe se nuk do të lejojë që asnjë zhurmë politike dhe mediatike të pengojë përpjekjet për të ndërtuar një shtet të fortë, të drejtë dhe të qëndrueshëm.
“Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugën drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr.
Kjo Shqipëri, Shqipëria ime, Shqipëria juaj, Shqipëria e atyre që sot janë fëmijë dhe që meritojnë një vend të sundimit të ligjit dhe jo të sundimit të llumit, nuk do të mundet e as do të përulet dot nga Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike, që nuk duan drejtësi për Shqipërinë, po duan destabilizim, duan rrëmujë, duan shkatërrim në dëm të Shqipërisë, nuk duan drejtësi me ligj po hakmarrje me llum, nuk duan drejtësi po vetëgjyqësi, linçime, poshtërime.
Ne do të vazhdojmë të luftojmë për drejtesinë që i ka munguar këtij shteti qysh në lindjen e tij, 100 e kusur vjet më parë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim organet e drejtësisë me gjithçka kemi në dorë për të bërë detyrën e tyre dhe do të mbetemi garantët e palëkundur të Reformës në Drejtësi, e të pavarësisë së drejtësisë nga politika, duke vazhduar të mbetemi zëri dhe forca më e madhe e shqiptarëve për Shqipërinë që askush tjetër nuk e mbron dot si ne, nuk e ndryshon dot si ne, nuk e bën dot siç do ta bejmë ne, Shqipërinë në Bashkimin Europian”, tha Rama.

