HomeBota

Raport i ri trondit Evropën: Dokument që tregon se SHBA po kërkon përçarjen e BE-së

Raport i ri trondit Evropën: Dokument që tregon se SHBA po kërkon përçarjen e BE-së

Një dokument i rrjedhur, që pretendohet të jetë drafti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të administratës Trump, po ndez debat të fortë në kryeqytetet evropiane.

Sipas raportimit të publikuar fillimisht nga Defense One më 10 dhjetor, drafti sugjeron që SHBA-të të nxisin Austrinë, Hungarinë, Italinë dhe Poloninë të distancohen nga BE – madje edhe të shqyrtojnë largimin prej saj – si pjesë e një nisme të quajtur “Make Europe Great Again”.

Sipas dokumentit të rrjedhur, synimi do të ishte dobësimi i institucioneve qendrore të Brukselit dhe forcimi i sovranitetit kombëtar të shteteve anëtare, një qasje që përkon me linjën politike të disa qeverive euroskeptike në kontinent.

Shtëpia e Bardhë e mohon kategorikisht ekzistencën e draftit, duke e cilësuar raportimin si “i fabrikuar” dhe pjesë të një tentative për dezinformim.

Megjithatë, publikimi ka shkaktuar reagime të ashpra në BE, ku shumë zyrtarë e shohin si një tjetër sinjal përqasjeje agresive të administratës Trump ndaj unitetit evropian.

Në disa kryeqytete evropiane, diplomatë dhe analistë paralajmërojnë se nëse dokumenti rezulton autentik, ai do të përbënte një ndërhyrje të paprecedentë të SHBA-ve në arkitekturën politike të BE-së dhe një përpjekje të hapur për të fragmentuar unionin.

Pavarësisht mohimeve zyrtare, rrjedhja ka ripërtërirë diskutimet për tensionet midis Washingtonit dhe Brukselit, veçanërisht në fushat e sigurisë, tregtisë dhe energjisë, duke shtuar presionin mbi marrëdhëniet transatlantike.