HomeMetro

Roli erdhi kur doja t’i ikja një momenti të errët! Monika Kryemadhi aktore: Filmi “Me fat” në 12 mars në kinema!

Roli erdhi kur doja t’i ikja një momenti të errët! Monika Kryemadhi aktore: Filmi “Me fat” në 12 mars në kinema!

Pasi u largua nga arena e personazheve të politikës, Monika Kryemadhi kërkon fat në fushën e filmit, si producente dhe aktore. Roli i gruas kryefamiljare në filmin ‘Me fat’, erdhi në jetën e saj, me ditët e përballjes me drejtësinë dhe pas ndarjes nga ish-bashkëshorti politikan Ilir Meta.

“Ndryshe nga e gjithë e shkuara ime që konferencat kanë qenë në politikë, tani është një botë tjetër, ndoshta e pashkelur më parë prej meje, por shumë interesante dhe me sfida të drejtpërdrejta. Ftesa erdhi në një moment shumë të errët të jetës time dhe ndonjëherë njeriu, kur do t’i largohet një momenti të vështirë, kërkon të hidhet në një fushë tjetër.”, tha Monika Kryemadhi para medias.

Filmi “Me Fat” sjell historinë e një familjeje shqiptare dhe sfidat me të cilat përballen të rinjtë në jetën e përditshme për të ndjekur ëndrrat e tyre.

Përfundon në GJKKO seanca paraprake për Metën, Kryemadhin dhe 3 të pandehurit e tj
“Edhe kur grushtoheni, grushtohuni në ring si sportistë për të fituar një titull. Mos u grushtoni për të dëmtuar jetën e dikujt tjetër. Çdo gjë është autentike shqiptare. Jemi përpjekur ta sjellim historinë sa më shqiptare të jetë e mundur, duke pasur në qendër familjen, sportin dhe dashurinë.”, vijoi Kryemadhi.

Pjesë e kastit janë aktorë të njohur, ndër ta Maksim Alidini, Gëzim Rudi, Zamira Kita, Visjan Ukcenaj, Gent Hazizi, Dea Vieri etj, me personazhe që pasqyrojnë realitetin social.

“Është një histori e shkruar me shumë dashuri për artin dhe familjen, por mbi të gjitha për ëndrrat që kanë njerëzit.”, tha Maksim Alidini, aktor dhe bashkëskenarist i filmit.

Monika Kryemadhi tregon se brenda personazhit gjeti elemente të jetës së saj.

“Është një grua që ka jetën e saj, një jetë disi të padukshme në film, por që është e suksesshme dhe enigmatike. Ka shumë pjesë të jetës sime brenda këtij personazhi, sepse gjatë viteve të politikës kam pasur shpesh edhe rolin për të mbajtur balanca mes njerëzve dhe situatave të ndryshme.”

Gjatë prezantimit të filmit, Kryemadhi nuk i kurseu as batutat me humor.

“Po edhe ajo mund të bëhet, film për jetën time, se dikush bën libër, unë po bëj film. Me SPAK-un kemi një çikë problem, sepse ndihen të bullizuar nga batutat tona, por e duan një film.”

Filmi ‘Me fat’ duket se është vetëm stacioni i parë për Monika Kryemadhin.

“Ne kemi një vend të mrekullueshëm dhe arti është ambasadori më i mirë për ta treguar Shqipërinë ndryshe. Po punojmë për një projekt tjetër që do të tregojë dashurinë në Shqipëri dhe bukuritë e vendit tonë.”, rrëfeu ajo.

Filmi ‘Me fat’, me regji të Julian Canameti, ky Monika Kryemadhi është edhe bashkëproducente, shfaqet premierë më 12 mars në Cineplexx TEG. Filmi synon të sjellë një histori të afërt me realitetin shqiptar dhe një mesazh për të rinjtë se rruga drejt suksesit kalon përmes përpjekjes, sportit dhe mbështetjes së familjes