Qysh në adoleshencë, por edhe gjithë rininë, e kam kaluar me frymën e Berishës, me një dashuri patologjike për frymën dhe emrin e tij në PD”, thotë Harris Morana. Ai është një ndër të plagosurit në ngjarjen e 2 prillit 1991 në Shkodër, ku në përballje me policinë e regjimit u vranë katër protestues, një ndër ta edhe studenti i spikatur i dhjetorit, Arben Broci.
Harris Morana ishte gjimnazist në atë kohë, kur bashkë me shokë të tij i ishte bashkuar thuajse gjithë popullit të Shkodrës në protestën e 2 prillit 1991. Sapo kishin përfunduar zgjedhjet e 31 marsit dhe PPSH kishte fituar përballë PD-së së sapothemeluar. Shkodranët dolën në një protestë-revoltë kundër regjimit që u duk se po krijonte vazhdimësi. Forcat e regjimit përdorën armë zjarri dhe në atë protestë u vranë katër të rinj dhe u plagosën shumë të tjerë.
Një ndër ta edhe Harris Morana. Në intervistë për gazeta Tema, një reflektim për ngjarjen 35 vite më pas, Morana flet për zhgënjim, por edhe dyshime që sa vijnë e përforcohen për rolin e secilit në atë ngjarje, dhe për më tepër në zbardhjen e munguar të saj. “Lamë me gjak rrugët e qytetit ku lindëm, por u zhgënjyem… dëshmuam që në emër të tij të kishte një tjetër rrugëtim të demokracisë, të Shqipërisë, por edhe të PD-së…”, thotë Morana.
Ai kujton detaje të bisedave me Nafiz Bezhanin, avokatin e familjarëve të ngjarjes së 2 prillit, dhe dyshimet për arsyet e moszbardhjes së autorëve të asaj ngjarjeje që e shënoi historinë e fillimeve të demokracisë.
“Ndoshta se PD nuk e deshi as vetë zbardhjen e 2 prillit dhe për këtë doktori mund të na thotë të paktën moralisht të na e kthejë këtë përgjigje. Edhe pse kanë kaluar 35 vjet, koha është ende për të na e thënë e ndoshta liron edhe shpirtin për këtë…”, thotë ndër të tjera Morana, një ndër të plagosurit e ngjarjes së 2 prillit në Shkodër.
Ai flet për historinë që e pasoi atë ngjarje, fitoren e PD-së në zgjedhjet e 22 marsit dhe një histori që nuk ishte ajo që kishte pritur e ëndërruar. Kurrë nuk kishte besuar se pas 35 vitesh do të ishte kjo PD që është sot. Ai kujton teserën e parë të anëtarësisë, të shkruar me dorë nga Azem Hajdari, të tjera momente të PD-së dhe raportin me këtë parti dhe na thotë pse nuk e ka sot teserën e anëtarësisë së rithemelimit.
“Berisha mori shumë prej demokracisë së brishtë shqiptare. Më dhimbset që po kaq shumë po kërkon me e zhbërë. Ndërkohë që mund të tërhiqej me nder, do të mbetej në historinë e Shqipërisë si lider historik”, thotë Morana. Ai beson se PD po shkon me shpejtësi në bjerrje të plotë, ndërsa lidershipi i PD-së bën marrëveshje dhe biznese me qeverinë.
Harris Morana është pinjoll i një familjeje konservatore, antikomuniste e përndjekur nga regjimi. Është ndër demokratët e orëve të para të organizimit të kësaj partie, i plagosur në protesta, është pishtar i demokracisë dhe e ka një brengë të madhe: Si më detyroi PD të gjej prehje te një neomarksist si Arlind Qorri???

