Sali Berisha nuk ka qenë konfliktual në historinë e tij politike vetëm me politikanë vendas, por edhe me ata të huaj. Sulmi i tij i fundit ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, të cilin e quajti “ambasador të Ramës në BE” nuk është thjesht një akuzë e izoluar, por një mendësi dhe strategji që e ka shoqëruar gjatë Sali Berishën.
Historia e tij politike e tre dekadave të fundit, tregon një marrëdhënie të tensionuar me ambasadorët amerikanë, pavarësisht se nisi në vitet ’90 si një aleancë e fortë, ajo përfundoi në shpalljen ‘non grata’ dhe në konflikt të hapur me përfaqësuesen e fundit të Washingtonit në Shqipëri.
Një aleat i privilegjuar në vitet ’90
Në fillim të viteve ’90, Sali Berisha ishte një nga figurat më të mbështetura nga SHBA. Ambasadori i parë pas rënies së komunizmit, William Ryerson, operoi në një klimë bashkëpunimi të plotë me liderin e ri demokrat, ndërkohë që SHBA e shihte Berishën si garant të orientimit pro-perëndimor të Shqipërisë.
Mirëpo, kjo marrëdhënie filloi të krisej në mes të viteve ’90, ku me ambasadorin Joseph Lake, tensionet u rritën për shkak të zgjedhjeve të kontestuara të vitit 1996 dhe shqetësimeve për pavarësinë e institucioneve, ndërsa SHBA shprehu publikisht rezerva për standardet demokratike, edhe pse Berisha u tregua gjithnjë e më rezistent ndaj kritikave.
Kriza e ’97 dhe përplasja me Marisa Lino
Përplasja e parë e madhe e hapur erdhi me ambasadoren Marisa Lino gjatë krizës së vitit 1997. Në kulmin e kolapsit shtetëror, SHBA i kërkoi Berishës ulje të tensioneve dhe zgjedhje të parakohshme.
Lino apeloi publikisht për ndaljen e dhunës, duke theksuar se “dhuna prodhon vetëm më shumë dhunë”. Në atë kohë, kampi i Berishës e konsideroi ambasadoren amerikane si të njëanshme, ndërsa raportet mes tij dhe SHBA-së ranë në pikën më të ulët të asaj dekade.
Opozita dhe raporti i ftohtë
Gjatë viteve në opozitë, në kohën e ambasadorëve si Joseph Limprecht dhe James Jeffrey, nuk pati përplasje të forta publike, por marrëdhënia mbeti e ftohtë. SHBA u fokusua te stabiliteti institucional, ndërsa Berisha mbante një qëndrim kritik ndaj proceseve politike dhe zgjedhore.
Rikthimi në pushtet dhe tensionet me drejtësinë
Pas rikthimit në pushtet, raportet u normalizuan përkohësisht, sidomos gjatë mandatit të Marcie Ries, në kohën e integrimit në NATO.
Por përplasjet u rikthyen fuqishëm me ambasadorin John Withers. Në kulmin e debatit për hetimet e Gërdecit, Withers mbrojti publikisht pavarësinë e prokurorisë dhe paralajmëroi kundër ndërhyrjeve politike, duke i cilësuar ato “shqetësuese”. Kjo u lexua si kritikë direkte ndaj qeverisë Berisha.
21 janari dhe raporti i dyfishtë me Arvizun
Me ambasadorin Alexander Arvizu, marrëdhënia u bë kontradiktore. Pas 21 janarit 2011, SHBA kërkoi hetim të plotë dhe përgjegjësi për vrasjen e protestuesve, ndërsa më vonë shprehu zhgënjim për vendimet e gjykatës.
Arvizu u përpoq të ruante ekuilibrin politik, por tensionet me qeverinë e Berishës dhe krizën e brendshme politike e bënë këtë një nga periudhat më të ndërlikuara të raportit me SHBA.
Reforma në drejtësi dhe përplasja me Donald Lu
Periudha e ambasadorit Donald Lu shënoi një përplasje të drejtpërdrejtë. Lu u bë figura kryesore e presionit amerikan për reformën në drejtësi, duke paralajmëruar pasoja të rënda për politikanët që do ta bllokonin atë.
Berisha e akuzoi hapur ambasadorin për ndërhyrje në punët e brendshme, duke e kthyer raportin në një konflikt të hapur politik.
Non grata dhe përplasja finale me Yuri Kim
Kulmi i konfliktit erdhi në vitin 2021, kur Sekretari amerikan i Shtetit shpalli Berishën “non grata” për korrupsion. Ambasadorja Yuri Kim mbajti një qëndrim të prerë, duke kërkuar distancimin e PD-së nga ai. Nga ky moment, marrëdhënia u shndërrua në një përplasje të drejtpërdrejtë dhe personale. Berisha akuzoi SHBA për ndërhyrje, ndërsa ambasada amerikane mbajti vijë të pandryshuar.
Një histori që përsëritet
Nga William Ryerson te Yuri Kim, historia e marrëdhënies së Berishës me ambasadorët amerikanë është një rrugëtim konfliktual.
Përplasja e fundit me Silvio Gonzato tregon se ky model nuk është rastësi, por vazhdimësi e asaj që sa herë që presioni ndërkombëtar rritet, retorika e Berishës ndaj diplomatëve bëhet më e ashpër.
Dhe kjo, më shumë se një çështje personale, është kthyer në një problem politik që prek drejtpërdrejt Partinë Demokratike dhe opozitën./TemA

