HomeAktualitetDebat

Sekuestrime pasurish dhe arrestime të bujshme! Avokati Romeo Kara paralajmëron “tërmet” në politikën shqiptare: Ja dy skenarët që priten nga çështja “Balluku” dhe çfarë do të ndodhë në PS pas largimit të Edi Ramës

Sekuestrime pasurish dhe arrestime të bujshme! Avokati  Romeo Kara paralajmëron “tërmet” në politikën shqiptare: Ja dy skenarët që priten nga çështja “Balluku” dhe çfarë do të ndodhë në PS pas largimit të Edi Ramës

Avokati i njohur, Romeo Kara ka komentuar zhvillimet brenda Partisë Demokratike, situatën politike në vend dhe hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që po prekin nivelet më të larta të qeverisjes, përfshirë edhe çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Duke folur për përplasjet e shkaktuara pas lëvizjeve të fundit të Ervin Salianjit, Z.Kara e sheh këtë situatë si vazhdimësi të një modeli të vjetër përjashtimesh që e ka shoqëruar këtë forcë politike që nga fillimet e saj.

Situata në PD

“Në vitin ’92, kur janë bërë përjashtimet e para me mocionistët, kam rastisur në një bisedë me ish-sekretarin e ambasadës këtu, më vonë ambasador, me Chris Hill bashkë me një person tjetër, ku i kemi thënë që priten përjashtime. Ai nuk e besonte që kjo parti, e para që quhej “demokratike” sidomos pas rënies së sistemit komunist, ta niste me përjashtime. Dhe kur u përjashtuan, prapë mendonte që do ishte diçka e përkohshme, mbase nuk ishte formuluar si duhet. Unë nuk mendoj që edhe Berisha ka luksin për të shtuar njerëz, duke parë gjendjen ku është. Por gjithashtu nuk mendoj që mund të vazhdojë një opozitë edhe sikur të mbajë ato që ka, jo më pastaj të zmadhohet. Po vazhdoi kështu, në një moment që qeverisja është në rënie të lirë, nuk i bën dritë as vetes as vendit. Sigurisht, çfarë më ka ngrohur në fillim të vitit ’91, të paktën deri në kohën që ne dolëm nga greva e urisë, universiteti u shpërnda, ra dhe qeveria Nano, filloi qeveria e stabilitetit… po deri në atë moment në PD kishte shumë figura, shumë fytyra që dhe po të konsumoheshin nga pushteti, ajo parti mund ta mbante pushtetin 20 vjet. Pra ishin gjashtë-shtatë figura që secili prej tyre mund të ishte kryeministër. Moment më pozitiv si një mendim i larmishëm dhe i organizuar politik nuk ka ardhur më në PD. Tani të gjithë mund të ikin e të vijnë, po Saliu jeton aty. Ku do t’i çojë ky mentalitet te partia e vetëm një personi, që është kthyer në fe, në parim, në interes, në gjithçka në atë parti, me një kult individi të papërshtatshëm më për vetë PD-në dhe për kohën?

Kanë rrjedhur gjithë ujërat. Mbaj mend Saliun që takonte Gligorovin edhe Zhelu Zhelevin për të firmosur Korridorin 8 me ndërmjetësinë e Clintonit. Vetëm ky mbijeton si alternativa e vetme. Pra ka ardhur koha që të ndryshojë Saliu qasje, jo se do ai, por nga halli. Të ndryshojë nga halli qasjen. Ndryshe, nëse nuk ndryshon nga halli, njerëzit nuk janë skllevër të vijnë në një parti politike e të vijnë zemërvrarë, pavarësisht se mund të fitojnë, atëherë ata janë mëditës. Nuk kanë këta mendim, nuk kanë aspirata për të ecur përpara. Çdo njeri që hyn në politikë ka një egoizëm për të qenë burrë i parë i shtetit dhe i pari fare. Aq më tepër që, me këto shembuj që kemi dhënë ne këtu, më shumë aspiron për të qenë i parë i shtetit më idioti, jo ai që është më i arsyeshëm. Ne kemi treguar që nuk janë vlerat reale që të çojnë në krye të shtetit, janë ca parametra të tjerë.Por a mund të ketë të drejtë ai? Supozojmë që kjo është e drejtë dhe qëndron, po mosndryshimi yt a e saboton përballjen me Ramën, meqë ai është përballë Ramës? Tani Rama, sa kohë të jetë kryeministër, nuk ndryshon as ai as PS-ja. Kur të ikë Rama, do t’i shohësh mirë; nuk do të njohë qeni të zotin atje.

Por sa kohë të jetë atje, do t’i mbajë ky interes se thotë “unë kam fituar dhe me meritë jam këtu”. E ka tjetërsuar ai partinë e tij. Po kjo parti, partitë zakonisht riorganizohen, rigjenerohen dhe janë më afër moralit kur janë në opozitë. Tani ajo dhuna sektariste që është përdorur atje duhet të kishte marrë fund. Pas zgjedhjeve ishin gati drejt shpërbërjes. Ka qenë merita e Ramës për ta që ata po lulëzojnë pak. Pra gafat e njëpasnjëshme qeverisëse, megalomania e tij, hapja e petëve të lakrorit që, dashje pa dashje, tani është bërë aleati i çdo njeriu që dëshiron drejtësi. Pra edhe PD-ja vetë të ndryshojë qasjen karshi politikës, Shqipërisë së nesërme dhe partnerëve. Se ne pa partnerë mund ta marrësh pushtetin normal, po kur vjen një moment të thonë “stop” dhe “boll”, se gjeopolitika ndikon edhe në Amerikë edhe në Kinë, që janë dy vendet më të fuqishme, jo këtu që këta janë të fuqishëm te ky fshati ynë këtu”, shprehet Romeo Kara.

“Tërmeti” që pritet në politikë

Sipas avokatit Romeo Kara, drejtësia ndodhet përpara një faze që pritet të shkaktojë një “tërmet” të vërtetë në politikën shqiptare, duke prekur jo vetëm pushtetin, por edhe opozitën. Ai e përshkruan situatën aktuale si një rënie të lirë të një sistemi që, sipas tij, ka humbur lidhjen me realitetin dhe qytetarët. “Këtu është parajsa e maskarallëkut. Janë në rënie të lirë. Nuk ka më mandat tjetër se u tallën me popullin shqiptar.Unë kam takuar në Amerikë njerëz shumë të thjeshtë me atë pushtet ekonomik dhe politik, një thjeshtësi e pabesueshme. Po këta këtu? Këta hiqen sikur kanë fatin e botës në dorë. Këta janë arrogantë deri në pashpirtësi. Kanë humbur sensin e realitetit. Janë lodhur me lëpirje.

Drejtësia do t’i kthejë ata me këmbë në tokë, unë jam i sigurtë. Kjo është drejtësi pikatore, se kur të shqyehet ajo diga e drejtësisë, do t’i marrë përpara mirë. Çdo kontribut progresist, parimor, opozitar duhet të gjejë gjuhën e solidaritetit. Janë miliarda e miliarda që kjo drejtësi do të preki, shumë nga pushteti, por dhe jo pak nga opozita. Ajo që është marrë duhet të kthehet mbrapsht. Nuk mjafton vetëm goditja, po duhet sekuestrimi. Janë dhjetëra miliardë euro apo dollarë që i mungojnë këtij vendi. Këta paratë i kanë marrë me offshore. Ne do të kemi të tjera qasje nesër. Do të jetë një çlirim i vendit dhe ndërtim. Ai do jetë vend sovran. Pastaj, po të shkojë e drejta ku duhet, aty do të shkojë edhe paraja ku duhet, në investimet e duhura.

Ne duhet t’i mësojmë njerëzit t’i marrin të drejtat e tyre, jo t’i lypin. I kemi çuar deputetët për të na bërë punët tona. Është sikur në një ndërmarrje aksionerët të lypin si “verem i gjallë” të drejtat e tyre te administratorët. Po ne administratorin e adhurojmë dhe e bëjmë si perëndi, siç kemi bërë Ramën dhe Berishën”, tha ai.

Fati i Ramës dhe Ballukut

Sipas avokatit Romeo Kara, rasti i zëvendëskryeministres Belinda Balluku përfaqëson një moment testues jo vetëm për qeverinë, por për gjithë sistemin politik dhe raportin e tij me drejtësinë. Ai thekson se, pavarësisht zgjidhjeve politike që mund të kërkohen, përgjigjja përfundimtare për këtë çështje mund të vijë vetëm nga drejtësia.

“Unë nuk kam ndonjë problem se çfarë kompromisi do të gjejë Balluku me Ramën. Dy janë: Ikën Balluku dhe Rama mbijeton ca politikisht, ose ikin të dy bashkë. Rrugë tjetër nuk ka. Rruga e Belinda Ballukut merr përgjigje vetëm nga drejtësia, pavarësisht se çfarë mund të bëjë Rama. Dhe në qoftë se Rama reziston, kjo sjell një përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e Bashkimit Europian”, tha ai ndër të tjera.