HomeAktualitetDiaspora

Serbia u hoqi të drejtën e votës mijëra shqiptarëve

Serbia u hoqi të drejtën e votës mijëra shqiptarëve

Kosova kërkon prej komunitetit ndërkombëtar që të dënojë sjelljen autoritare të Serbisë dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç, që në zgjedhjet e së dielës u hoqi mijëra shqiptarëve të Luginës së Preshevës të drejtën e votës.

Sipas raportimeve, janë rreth 6 mijë shqiptarë që nuk kanë mundur të votojnë dot në këto zgjedhje, pavarësisht se kanë shtetësinë e Serbisë.

Shkak për mosvotimin e tyre është parashikimi ligjor që e lidh të drejtën e votës me pasjen e një adrese. Por, çfarë po ndodh në Luginën e Preshevës? Prej vitesh, autoritetet serbe fshijnë nga regjistrat e adresave të banesave shqiptarët në Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë me arsyetimin se nuk banojnë aty.

“Sipas raportimeve, 6 mijë shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta themelore për të votuar sepse Serbia qëllimisht ka pasivizuar adresat e tyre, në një fushatë të mirëfilltë spastrimi etnik. Komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë autoritarizmin e Serbisë”, shkruan Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërkohë, kur janë numëruar mbi 87 për qind e votave, koalicioni i Shqiptarëve i Shaip Kamberit ka siguruar 0.28 për qind të votave, por ende nuk e ka të siguruar një mandat. Koalicionit tjetër rival i shqiptarëve nuk merr asnjë mandat.

Përçarja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që dolën në zgjedhje me dy lista në rastin më të mirë do të ulë përfaqësimin në parlamentin e ri të Serbisë nga 3 në 1 deputet dhe në rastin më të keq shqiptarët mund të humbasin përfaqësimin në parlamentin e Serbisë./ SI