Dega e bashkësisë minoritare Omonia në Himarë, ka bërë një reagim absurd në lidhje me një skenë që është shfaqur në serialin televiziv “The Innocents”, transmetuar nga MEGA, në të cilin paraqitet heroina qendrore duke folur shqip dhe duke u shpallur si Himariote.
Omonia shpreh pakënaqësinë e saj të fortë dhe proteston për këtë skenë të shfaqur në një ndër televizionet kombëtare më të mëdha në Greqi dhe njëkohësisht i pari televizon privat në vendin fqinj, raporton newsbomb.al.
Sipas organizatës minoritare, Himara ka një histori të dokumentuar dhe të përjetshme në prani të elementit grek, si gjuhësisht ashtu edhe kulturalisht, duke pretenduar se identiteti i qytetit është grek.
“Paraqitja e Himarës si rajon shqipfolës nuk përbën thjesht një pasaktësi historike, por kontribuon në përjetësimin e një çështjeje serioze identiteti, duke minuar luftën e kahmotshme të himarezëve për të njohur dhe mbrojtur të drejtat e tyre vetë-evidente”, thotë deklarata.
Omonia e Himarës është tronditur nga kjo skenë e shfaqur nga vetë televizioni grek, ku tregohet identiteti i vërtetë shqiptar i Himarës, ndaj në tërbim e sipër thotë se “Arti dhe trillimet televizive nuk mund dhe nuk duhet të punojnë kundër të vërtetës historike.”
Organizata minoritare greke duhet ta dijë se Himara ka qenë gjithmonë me një popullsi autoktone shqiptare dhe në 1482 kur disa familje u larguan nga qyteti për në Siçili, vendit ju dha emri Hora e Arbëreshëvet (Qyteti i Shqiptarëve), banorët e të cilit flasin edhe sot gjuhën shqipe (arbërishten) dhe mbajnë zakonet, veshjet popullore dhe besimin ortodoks.

