Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka publikuar një postim të gjatë në Truth Social lidhur me sulmin izraelit ndaj fushës së gazit South Pars në Iran, të mërkurën në mbrëmje. Si kundërpërgjigje ndaj këtij sulmi, Irani goditi Ras Laffan në Katar, një zonë industriale që përmban objektin më të madh në botë për përpunimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG).
Në postimin e tij me tone të ashpra, Trump thotë se SHBA-të “nuk dinin asgjë” për sulmin e Izraelit dhe kërcënon me përshkallëzim nëse Irani sulmon sërish Katarin.
“I shtyrë nga zemërimi për atë që ka ndodhur në Lindjen e Mesme”, shkruan Trump, Izraeli “reagoi në mënyrë të dhunshme”. “Shtetet e Bashkuara nuk dinin asgjë për këtë sulm të veçantë dhe Katari nuk ishte në asnjë mënyrë i përfshirë, as nuk kishte dijeni që do të ndodhte.”
Por Irani nuk e dinte këtë, shkruan Trump, dhe se sulmet hakmarrëse ndaj Ras Laffan në Katar u kryen “pa justifikim dhe në mënyrë të padrejtë”.
Trump shkruan se Izraeli nuk do të sulmojë më fushën e gazit South Pars, “përveç nëse Irani vendos në mënyrë të pamend të sulmojë” një vend tjetër të pafajshëm, që në këtë rast ishte Katari.
Nëse Irani sulmon sërish Katarin, Trump kërcënon se SHBA-të “do të shkatërrojnë plotësisht të gjithë fushën e gazit South Pars me një nivel force dhe fuqie që Irani nuk e ka parë apo përjetuar kurrë më parë”.
Ai shton se nuk dëshiron të autorizojë “këtë nivel dhune dhe shkatërrimi për shkak të pasojave afatgjata” për Iranin, “por nëse impiantet e Katarit sulmohen përsëri, nuk do të hezitoj ta bëj.”

