HomeAktualitetKryesore

Shemsi Prençi, këshillon Metën për emergjencat: Vëllai i tij ndërtoi shkollën-Thumanë; 28 miliardë lekë tendera në 6 vite

Shemsi Prençi, këshillon Metën për emergjencat: Vëllai i tij ndërtoi shkollën-Thumanë; 28 miliardë lekë tendera në 6 vite

Dokumente që tregojnë, se horrat e politikës dhe shërbestarët e tyre, bëjnë sikur kacafyten me njeri-tjetrin; por pas kësaj maske të pështirë, ata ndajnë postet e “thelat”; dhe një pyetje: – A është “drejtor Shema i çdo partie e pushteti”, ortak në firmën e ndërtimit “Regli” dhe 2 firmat e ushqimeve të familjes “Prençi”?

Para 24 orësh, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shtoi stafin e tij, me një Këshilltar të Posaçëm për Emergjencat, duke përzgjedhur në këtë detyrë, Shemsi Prençin, një ish-komandat poste kufiri në vitet 1988-1992.

Sipas disa mesazheve të ardhur në “Pamfleti”, ky emërim ka shkaktuar reagime në zonën Krujë-Thumanë; jo për faktin se në këto 28 vite tranzicion, Shemsi Prençi ka bërë akrobaci në pushtetet e 3 partive politike; me poste vetëm drejtor i nivelit të lartë.

Reagimi ka lidhje, me emërimin e turpshëm, që Presidenti Ilir Meta, i ka bërë në postin Këshilltar i Posaçëm për Emergjencat, kur ai dhe familjarët tij kanë dorë në pasojat e këtij tërmeti e të dëmeve prej përmbytjeve në Krujë.

Banorë e madje zyrtarë bashkiakë; konfirmojnë se shkolla e Thumanës, që u rrëzua dy muaj pas punimeve 700 milionë lekë; është rindërtuar nga firma “Regli shpk”, me pronar Njazi Prençin; vëlla i Shemsi Prençit; i emëruari i presidentit Meta, në postin Këshilltar i Posacëm Emergjencash.

Kanë qenë prezente, problemet e pasigurisë dhe mungesat e shërbimit shtetëror të emergjencave; edhe në periudhën nga 07.11.2013, deri në datën 26.06.2018, kur Shemsi Prençi ka qenë me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave të Shqipërisë.

Madje Shemsi Prençi, ka firmosur edhe shumë tendera, në miliona lekë për ndërhyrje e pajisje emergjencash civile; por përsëri, ato kanë mbetur edhe pa lopata, pa uniforma, pa fadroma e pa qen nuhatës-shpëtues, për fatkeqësitë natyrore.

Mirëpo, sa për info për ata që nuk e dinë; në 5 vite drejtim të emergjencave civile e deri sot, 1 vit pas shkarkimit të tij; Shemsi Prençit i ka ecur mbarë biznesi familjar i ndërtimit dhe i 2 kompanive ushqimore-shumice (catering), që furnizojnë shërbimet dhe institucionet shtetërore.

Këto 3 biznese, menaxhohen nga vëllai i tij Njazi Prençi, me firmën “Regli Shpk” dhe. nga dy familjarët e tij, Eglantina Prençi me firmën “eglenti shpk” e Gentjan Prençi, me firmën “M.C.Catering shpk”.

Sa për kujtesë, firma “Regli shpk”, është (ç)ndërtuesja e shkollës Thumanë me vlerë 700 milionë lekë; rrëzuar vetëm dy muaj pas kualidimit si “Punime të sakta”, që i bëri firma “ZH&Miler shpk”.

Po kështu, firma “Regli shpk”, në muajin prill 2015 ka marrë nga Emergjencat Civile (nga Shemsiu), 205 milionë lekë tender nëpërmjet Bashkisë-Krujë, me objekt “Sistemimin e përroit, lagjia nr.1, Ura e Madhe-Krujë”; por punimet u kryen në masën 30%, dhe ish-kryebashkiaku Sh. Hoxha e vëllai i Shemsiut; në datën 6 korrik 2018, janë dënuar me nga 2 vite burg (4 vite sherbim prove).

Ja numri dhe vlera e tenderëve, që kanë fituar 7 vitet e fundit, 3 bizneset e familjes “Prençi”

Firmë ndërtimi-ushqime “Regli shpk” me pronar Njazi Prençi

– Në vitet 2012-2013, ka marrë 227 tendera shtetëror, me vlerë totale 197 milionë, 400 mijë e 584 lekë të reja.

– Në vitin 2014, ka marrë 217 tendera shtetëror, me vlerë totale 168 milionë, 490 mijë e 112 lekë të reja.

– Në vitet 2015-2019, ka marrë 145 tendera shtetëror, me vlerë totale 554 milionë, 834 mijë e 739 lekë të reja

Firmë ushqimesh “M.C.Catering shpk”, me pronar Gentjan Prençi

– Në vitet 2012-2013, ka marrë 372 tendera shtetëror, me vlerë totale 264 milionë, 844 mijë e 819 lekë të reja.

– Në vitin 2014, ka marrë 361 tendera shtetëror, me vlerë totale 130 milionë, 866 mijë e 837 lekë të reja.

– Në vitet 2015-2019, ka marrë 1276 tendera shtetëror, me vlerë totale 685 milionë, 022 mijë e 122 lekë të reja.

Firmë ushqimesh “Eglenti shpk”, me pronare Eglantina Prençi

– Në vitet 2012-2013, ka marrë 42 tendera shtetëror, me vlerë totale 99 milionë, 234 mijë e 426 lekë të reja.

– Në vitin 2014, ka marrë 74 tendera shtetëror, me vlerë totale 168 milionë, 857 mijë e 290 lekë të reja.

– Në vitet 2015-2019, ka marrë 808 tendera shtetëror, me vlerë totale 548 milionë, 567 mijë e 532 lekë të reja.

NË VIJIM, do publikojmë fakte zyrtare nga këto 3 firma “Prençi”; që do provojnë se me çfarë marifetesh; janë “fituar” tenderët për shumë shkolla, kënde sportive, spitale, kopshte fëmijësh, rrugë, shërbime e investime të tjera publike, të dorëzuara me “letra sigurie e cilësie të lartë”, por rezultuara me probleme, jo vetëm nga tërmeti./Pamfleti