HomeAktualitet

Shpëtohet 22-vjeçari që u bllokua në Kanionet e Osumit, u fut vullnetar për gjetjen e një 42 -vjeçari të zhdukur

Shpëtohet 22-vjeçari që u bllokua në Kanionet e Osumit, u fut vullnetar për gjetjen e një 42 -vjeçari të zhdukur

Është shpëtuar pas një operacioni të përbashkët mes alpinistëve, vullnetarëve, forcave RENEA dhe Forcave të Armatosura 22-vjeçari Xhuljano Kaloti, i cili mbeti i bllokuar në ujërat e lumit Osum gjatë përpjekjeve për të ndihmuar në gjetjen e një 42-vjeçari të zhdukur.

Ministria e Mbrojtjes njofton se Xhuljano Kaloti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, është i vetëdijshëm dhe aktualisht nën kujdesin e ekipit mjekësor.

Sipas burimeve nga banorë të Skraparit, incidenti ndodhi gjatë lundrimit me kanoe, kur njëra prej gomoneve është përmbysur si pasojë e rrjedhës së fortë të lumit. 22-vjeçari ngeci mes shkëmbinjve në zonën e njohur si “Ngushtica e tretë”, në hyrje të një shpelle.

Ndërkohë, autoritetet njoftojnë se vijon pa ndërprerje operacioni për kërkimin 42-vjeçarit Ilir Kurti, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha dhe si rrjedhojë mund të ketë ndërruar jetë.

Kanioni i Osumit ka një gjatësi rreth 12 kilometra dhe thellësia e tij arrin deri në 90 metra. Në kushte të prurjeve të larta, ndërhyrja nga persona të pa trajnuar për operacione të tilla paraqet rrezik maksimal.