Gjatë shqyrtimit të amendimeve për ligjin kundër pastrimit të parave në Komisionin e Çështjeve të Brendshme dhe Mbrojtjes, deputeti dhe ish-ministri Pirro Vengu theksoi se dalja e Shqipërisë nga lista gri e Moneyval në tetor 2023 ka sjellë rezultate konkrete në ekonomi.
“Dalja nga lista gri nuk është formalitet. Është besim i shtuar dhe akses më i lehtë në financime. Madje, sot ka vende të BE-së që janë ende në listën gri”, u shpreh Vengu.
Sipas tij, efektet zinxhir të parandalimit të pastrimit të parave në formalizimin e ekonomisë janë të matshme: “Rritja e transaksioneve bankare online është rreth 30%, e nxitur nga turizmi dhe remitancat.
Ndërkohë, “transaksionet në euro kanë shoqëruar rritjen e investimeve, duke u rritur me 25% në dy muajt e parë të 2026 krahasuar me 2025, dhe kjo rritje ndodh brenda sistemit bankar, jo jashtë tij.”
Vengu theksoi se edhe kreditimi konfirmon këtë trend formalizimi:
“Në 2025, kreditimi i ekonomisë është rritur me 13%. Po aq është rritur edhe kreditimi për ndërtim, ndërsa kreditë për individë për blerje pasurish të paluajtshme janë rritur me 21.7%, kryesisht të lidhura me shërbimet e turizmit.”
Ai shtoi se paralelisht është forcuar edhe goditja ndaj abuzimeve:
“Kemi rritje të hetimeve, bllokimeve dhe sekuestrimeve të llogarive.
“Shqipëria ka përmirësuar renditjen në Indeksin e Bazelit që vlerëson vendet sipas riskut të pastrimit të parave. Nga indeksi 6 në 2019 kemi kaluar në 4.35 në 2025, kjo do të thotë më shumë integritet financiar.”
Në përgjigje të akuzave për sektorin e ndërtimit, Vengu u shpreh: “Çdo transaksion i dyshimtë sot ndiqet dhe mund të bllokohet. Pasuritë e paluajtshme nuk janë një sektor i patrajtuar, por një sektor nën monitorim si çdo tjetër me risk.”
Në fund, ai theksoi se amendimet e ligjit synojnë të bëjnë të pakthyeshme këto arritje: “Kemi ndërtuar mekanizma. Ky projektligj forcon Agjencië e Inteligjencës Financiare. Sepse siguria financiare është siguri kombëtare.”

