Fatos Mehdi Daci, një prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës, historisë dhe publicistikës dibrane e shqiptare, është ndarë nga jeta.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur familja e gazetarit duke njoftuar se homazhet do të zhvillohen më 8 dhjetor 2025, në Pallatin e Kulturës në Peshkopindërsa varrimi do të kryhet në vendlindje, në lagjen Dacallarë të Sllovës, Dibër, në orën 13:00.
Fatos Daci ishte, Anëtar i përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe kryetar i disa shoqatave kulturore e atdhetare,
Fatos Daci mbetet një prej personaliteteve më prodhimtare të letrave shqipe. Në mbi pesë dekada krijimtarie, ai botoi më shumë se 60 vepra historiko-enciklopedike, me mbi 15.000 faqe, duke dokumentuar jetën, historinë, traditat dhe figurat e Dibrës e të mbarë shqiptarisë.
Ai botoi mijëra portrete, mijëra emra e dëshmi historike dhe ilustroi veprat e tij me mijëra fotografi të rralla, duke lënë një trashëgimi të pazëvendësueshme.
Si gazetar dhe publicist, ai drejtoi e themeloi disa gazeta, ndër to “Dibra”, ku shërbeu si kryeredaktor e botues për dekada. Ka botuar qindra artikuj, reportazhe e studime, si dhe ka realizuar 23 dokumentarë televizivë.
Fatos Daci ishte organizator i dhjetëra veprimtarive përkujtimore e kulturore në Tiranë, Dibër, Bulqizë e më gjerë, duke promovuar vazhdimisht historinë dhe vlerat dibrane në veçanti.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Daci u nderua me tituj të shumtë, përfshirë “Mjeshtër i Madh”, dhe u shpall disa herë “Qytetar Nderi” nga Bashkia Peshkopi, Komuna Dibër e Madhe, Maqedoni dhe disa komuna të Dibrës. A.K./TemA

