HomeAktualitetArt

Shuhet në moshën 93-vjeçare një nga ikonat e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa!

Shuhet në moshën 93-vjeçare një nga ikonat e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa!

Një lajm i trishtë vjen nga bota e artit, pasi festoi 93 vjetorin ditën e djeshme, mësohet se mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, Margarita Xhepa.

Aktorja e njohur e disa roleve në kinematografinë shqiptare ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në një spital në Tiranë.

Aktorja u lind më 2 prill, në qytetin e Lushnjës, prej ku nisi edhe hapat e parë drejt karrierës së saj.

Gjatë karrierës së saj, aktorja e madhe Margarita Xhepa ka krijuar mbi 150 role në teatër.

Veç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Margarita Xhepa ka korrur sukses edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si, Ofelia tek “Hamleti”, vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, etj.

Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.

Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit.

Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 32 rolesh.

Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).