HomeSport

S’ka Botëror për Kosovën, ‘Dardanët’ mposhten 0-1 nga Turqia në Prishtinë! Miqtë në fazën e grupeve pas 24 vitesh

S’ka Botëror për Kosovën, ‘Dardanët’ mposhten 0-1 nga Turqia në Prishtinë! Miqtë në fazën e grupeve pas 24 vitesh

Kosova humbi shansin historik për të qenë pjesë e Kupës së Botës 2026. Turqia do të jetë pjesë e Grupit D të Botërorit së bashku me SHBA-në, Australinë dhe Paraguain. Kupa e Botës zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik.

FT/ Kosovë 0-1 Turqi (Akturkoglu 53′)

PRISHTINË – Një gol i Akturkoglu në minutën e 53-të shoi shanset e Kosovës për të qenë për herë të parë në finalet e një Kupe Bote. 13 mijë shqiptarë panë ndeshjen në ‘Fadil Vokrri’, ndërsa mijëra të tjera e ndoqën sfidën jashtë stadiumit. Prishtina u kthye sot në kryeqendrën e shqiptarisë, teksa mijëra tifozë nga Shqipëria ishin pranë ekipit të Kosovës në një ndeshje që në fund nuk rezultoi historike.

Nga ana tjetër Turqia është në festë legjitime pasi merr pjesë për herë të katërt në histori në finalet e një Kupe Bote. Turqit mungonin prej 24 vitesh në Botëror, që nga viti 2002 kur në Japoni dhe Kore të Jugut dolën të tretët në botë.

LEXO EDHE:
Dramë në Zenica, Bosnja nxjerr jashtë Kupës së Botës Italinë! ‘Të kaltrit’ 12 vite mungesë, në grupe Çekia dhe Suedia
NDESHJA – Ekipi turk e nisi më me dëshirë përballjen finale të play-off-it të Botërorit, duke provuar me Kokcu, por sfera përfundoi jashtë. Në minutën e 29-të Kosova u ndal nga trau i portës, pasi goditja e Fisnik Asllanit nga jashtë zone u devijua nga portieri dhe më pas u stampua në shtyllë.

Në minutën e 53-të erdhi goli që heshti stadiumin “Fadil Vokrri”. Një dalje e shpejtë nga e majta e sulmit bëri që Kokcu të godiste topin nga brenda zonës, me sferën që u devijua nga Akturkoglu brenda rrjetës.

Paçka se Kosova pati dy raste të mira me Muslinë dhe Asllanin, Cakir në portë u tregua hero për Turqinë. Ndeshja në Prishtinë u gjykua nga arbitri anglez Michael Oliver.

Mes lotëve dhe dëshpërimit Kosova ‘doli huq’ në ndeshjen historike që në rast fitoreje do i dërgonte për herë të parë në fazën finale të Kupës së Botës, turne që këtë verë do zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik.

Komentet më të rëndësishme:

90+6′ Turqia fiton 0-1 në Prishtinë dhe eliminon Kosovën nga grupet e Botërorit 2026.

90′ Gjashtë minuta shtesë.

86′ Fisnik Asllani godet nga jashtë zone, Cakir devijon në këndore.

81′ Muslija provon nga jashtë zone, sfera kalon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të portierit mik Cakir.

65′ Hakan Calhanoglu ndëshkohet me karton të verdhë.

53′ GOOL! Aksion i shpejtë nga miqtë. Kokcu pason për Akturkoglu, me këtë të fundit që kalon Turqinë në epërsi.

46′ Pjesa e dytë nis pa zëvendësime te të dyja skuadrat.

45+2′ Mbyllet 0-0 pjesa e parë.

45′ Dy minuta shtesë.

45′ Akturkoglu debaton me Hajdarin i cili ishte i shtrirë në fushë, tension mes futbollistëve. Të dy ndëshkohen me kartona të verdhë.

29′ Fisnik Asllani ka shansin më të mirë të ndeshjes, goditja e tij preket nga portieri i Turqisë dhe ndalet në traun e portës. Kosova pranë golit

27′ Kokcu provon nga distanca, Kosova me fat pasi sfera shkon pranë portës dhe përfundon jashtë.

10′ Muric dhe Vojvoda nuk kuptohen si duhet, përfiton Yildiz, por Kosova është me fat në këtë moment.

5′ Vedat Muriqi ndjen shqetësime në shpinë.

1′ Nis ndeshja në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ të Prishtinës.

Formacionet zyrtare:

Kosova (5-3-2): Muric; Vojvoda, Dellova, Hajrizi, Hajdari, Gallapeni; Hoxha, Rexhbecaj; Muslija; Asllani, Muriqi Trajner: Franco Foda

Turqia (4-2-3-1): Cakir, Çelik, Kokçu, Akturkoglu, Guler, Calhanoglu, Yildiz, Bardakci, Kabak, Yuksek, Kadioglu Trajner: Vincenzo Montella