HomeDebat

S’ka rëndësi sa femra shqiptare do punonin për Epstein, por sa politikanë prostituan kundër Shqipërisë

S’ka rëndësi sa femra shqiptare do punonin për Epstein, por sa politikanë prostituan kundër Shqipërisë

Juristi Kreshnik Spahiu tha se prokuroria në Shqipëri duhet të hapë një hetim për dosjen Epstein, pas të dhënave që sipas tij kanë zbuluar se ai ka vizituar 2 herë vendin tonë.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Frontline’ nga Marsela Karapanço në Report TV, ku tha se nuk ka rëndësi sesa femra shqiptare do të punonin për Epstein, por sa politikanë ‘prostituan’ kundër interesave të Shqipërisë.

“Do kisha dashur që Prokuroria në Shqipëri të kishte nisur një hetim edhe në respekt të hetimit që po zhvillohet në SHBA dhe disa vende europiane, në lidhje me vizitat e Epstein në Shqipëri. Është e provuar që ka qenë në maj 2012, por avioni i tij është shfaqur në Shqipëri edhe në vitin 2018, avioni Lolita.

Fokusi i hetimit nuk duhet të jetë vetëm eksportimi i prostitucionit shqiptar drejt SHBA-së apo diçka e tillë, sepse ne kemi eksportuar tradicionalisht në 3 dekadat e fundit me mijëra punëtore seksi në rrugët e Europës dhe shtëpitë publike të Europës.

Çështja është që edhe fokusi i britanikëve, francëzëve, etj, është nëse ky krim ndërkombëtar, ky prostitucion diplomatik është përdorur në kundërshtim me interesat kombëtare të vendit, që do të thotë a kemi shitje të interesave kombëtare shqiptare për shkak të perversitetit të politikanëve shqiptarë apo jo.

Çështjet e prostitucionit diplomatik tashmë janë shekullore. Pra kjo na intereson ne, nuk na intereson sesa vajza donin të shkonin në punë te Epstein, sepse sikur ta dinin emailin e tij, kushedi sa vajza do e kishin kontaktuar”, tha mes të tjerash Spahiu.