Të dhëna të reja nga analiza e dosjes hetimore tregojnë se procedimi ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk është mbështetur vetëm mbi kallëzimin anonim të Nesti Angoni, i cili shërbeu si pikënisje e hetimit.
Në dokumentacion rezulton edhe një informacion i dytë anonim, i atribuar një personi të vetëquajtur Nasta Pëllumbi. Ky person pretendon se disponon të dhëna me burim nga organet tatimore, të lidhura me bashkëshorten e kryebashkiakut, Ajola Xoxa.

Megjithatë, ekzistenca reale e këtij individi mbetet e paqartë dhe e pakonfirmuar, ndërkohë që vetë përmbajtja e informacionit ngre dyshime mbi burimin dhe besueshmërinë e tij. Kjo situatë shton pikëpyetjet mbi standardet e ndjekura në fazën fillestare të hetimit.
Fakti që një procedim penal mbështetet në më shumë se një burim anonim, pa identitet të verifikueshëm dhe pa transparencë mbi origjinën e të dhënave, vë në diskutim serioz integritetin e procesit dhe respektimin e garancive themelore të një hetimi të drejtë.
Këto zhvillime pritet të jenë në fokus të debatit publik dhe ligjor, ndërsa çështja tashmë i është nënshtruar debatit gjyqësor midis palëve, ku detaje të tjera interesante pritet te dalin në pah se si u nis dhe zhvillua vettingu 20 vjecar ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe te gjithë familjarëve të tij.

